“Jam sëmurë me covid”, shtyhet gjyqi ndaj Laert Haxhiut, “killeri” refuzon të marrë dijeni mbi seancën

Është shtyrë seanca për Laert Haxhiun në Gjykatën e Posaçme. Shkak është bërë mungesa e dëshmitarit të fundit të akuzës Arsen Xhuti.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 19 tetor, ndërkohë që sot në sallën e gjyqit pati shumë debate. Prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu, e cila është marrë në mbrojtje nga policia, për shkak të kërcënimeve, është paraqitur në seancën kundër Haxhiut.

Në seancë pati debate mes palëve pasi Laert Haxhiu ka refuzuar që të marre dijeni për seancën e sotme nëpërmjet oficerit të kontaktit. Fillimisht ka pretenduar se është i sëmurë me covid dhe më pas ka refuzuar takimin me agjentin.

Mësohet se avokati Detar Hysi refuzoi që të vijonte mbrojtjen, pasi pretendon se është i zgjedhur nga familjaret dhe jo nga vetë Haxhiu. Avokati tha se nuk mund të mbrojë një person, i cili nuk i ka dhënë tagrin sepse tashmë sipas tij kanë ndryshuar kushtet ligjore duke qene se Laert Haxhiu ka një adresë dhe duhet të vendosë vetë për avokatin.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela vendosi që të mos e pranojë kërkesën e avokatit, pasi togat e zeza bënë me dije se gjykimi do të vazhdojë në mungesë pasi nuk mund të presin pambarimisht Laert Haxhiun, i cili refuzon që të marrë dijeni për procesin në vendin tonë.

Ndërkohë, seanca gjyqësore u shty me pretendimin se nuk u bë e mundur njoftimi i dëshmitarit të fundit Arsen Gjuti./Albeu.com


Shtuar 12.10.2023 14:15