Iu hakerua faqja pas sulmit të “spiunëve”, kryebashkiaku i Gramshit zbulon lidhjen: Kam qenë drejtor i uzinës së armëve

5 ditë pas incidentit në uzinën e armëve në Gramsh nga dy rusët e dyshuar për spiunazh Mihail Zorin e Zvetlana Timofevva si dhe ukrainasi Fedis Alpatov, ditën e djeshme është hakuar faqja zyrtaree kryetarit të bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe.

Me sa duket nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Klodian Taçe i kontaktuar nga gazetarja e Gazetës Expres për Shqipërinë Beklie Koltraka duke mos preferuar të drejtojë gishtin pa përfunduar hetimet, ka deklaruar se ai më parë ka qenë drejtori i uzinës mekanike të armëve që u sulmua nga rusët.

“Nuk besoj se vjedhja e profilit tim në rrjete sociale ka lidhje me sulmin në uzinë. Pavarësisht se duhet të them se unë kam qenë drejtori i uzinës mekanike e armëve në Çekin por nuk kam diçka për të thënë derisa të rikthehet faqja”, tha ai për Gazetën Express.

Nisur nga ky fakt lindin dyshime se sulmi ndaj faqes së tij në rrjete sociale mund të ketë lidhje me ngjarjen në uzinën e Gramshit. Gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve.

Kryetari i bashkisë konfirmoi për Express se faqja i është hakuar që prej mbrëmjes së djeshme ndërsa ende nuk kanë mundur ta rimarrin.

“Hakimi i faqes është bërë që mbrëmë. Ende nuk e kemi rimarrë, po punon stafi për ta rikthyer”, tha ai për Express.

Prononcimi i Klodian Taçe për Gazetën Express

Po qarkullon lajmi se është hakuar faqja juaj zyrtare në rrjete sociale? A është i vërtetë?

Taçe: E vërtetë është që faqja ime është hakuar por nuk kam ndonjë deklaratë për të bërë. I gjithë stafi është vënë në dispozicion për ta kthyer pas.

Vjedhja e adresës është bërë sot apo ditë më parë?

Taçe: Hakimi i faqes është bërë që mbrëmë.

A keni arritur që ta rimerrni?

Taçe: Ende nuk e kemi rimarrë, po punon stafi për ta rikthyer.

Kush dyshoni se e ka hakuar?

Taçe: Nuk kam diçka tjetër për të thënë. Nuk mund t’ju them diçka derisa të rikthehet faqja. Nuk mund të shpreh dyshimet pa e vërtetuar.

A mendoni se kjo ka lidhje me ngjarjen e ndodhur të shtunën ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të hyjnë në uzinën e armëve në Gramsh?

Taçe: Nuk besoj se vjedhja e profilit tim në rrjete sociale ka lidhje me sulmin në uzinë. Pavarësisht se duhet të them se unë kam qenë drejtori i uzinës mekanike e armëve në Çekin por nuk kam diçka për të thënë derisa të rikthehet faqja. Nuk mund të flas pa përfunduar hetimet.

Në uzinën mekanike e armëve në Gramsh nuk prodhohen armë që prej vitit 1993 por ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë prandaj ruhet nga ushtria shqiptare.

Mënyra se si të huajt tentuan të futen me forcë në uzinë ngjalli dyshime se ata punojnë për shërbimet sekrete ruse. Gjykata e Elbasanit ka caktuar ditën e djeshme masën e sigurisë arrest me burg për ta.

Akuza kryesore ndaj tyre është ajo e spiunazhit. Nga 3 vepra penale që ishin regjistruar në fillim për këta shtetas, tashmë hetimi për ta do të vazhdojë për 2 vepra penale, sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake një shteti të huaj, e kryer në bashkepunim dhe goditje për shkak të detyres.

Në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit thuhet se tre të huajt deri në këtë fazë të hetimit dyshohet që të kenë ardhur në vendin tonë me mision, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse, me detyra të përcaktuara. Dy rusët dhe ukrainasi u arrestuan të shtunën pasdite teksa fotografonin në uzinën e armëve në Gramsh. Njëri prej tyre sulmoi rojet e sigurisë që tentuan ta ndalonin. Nisur nga pozicioni që ka pasur më herët në uzinë kryebashkiaku mbetet për t’u parë nëse ka lidhje me ngjarjen e të shtunës në Uzinë./Gazeta Express