Italiani “xheloz”, vrau shqiptarin në Brazil

Zbardhen detaje të tjera lidhur me vrasjen e shqiptarit Alban Gropcaj në Brazil, ku të dyshuar janë “bossi” i tij italian dhe dy vendas.

28-vjeçari shqiptar u ekzekutua më shkurt 2019, pasi shoqëronte shefin e tij, Guido Bertola gjatë një udhëtimi nëpër Brazil.

Natën e vrasjes, punëdhënësi dhe punonjësi sapo kishin dalë nga një restorant italian, kur të dyve “u afruan nga dy persona me motoçikletë, të cilët ndaluan makinën, nxorrën shqiptarin nga automjeti dhe e ekzekutuan me tre të shtëna armësh, dy në kokë dhe një në shpatull. Fillimisht u fol për një tentativë grabitjeje.
Por sipas hetimeve, grabitja ka qenë një mashtrim dhe makina e drejtuar nga italiani natën e krimit ka qenë e parkuar, në vijë të drejtë, me dyer të mbyllura, pranë bordurës dhe nuk është dëgjuar asnjë frenim që të lë të dyshosh se vrasësit në fakt donin që t’i grabisnin.

Autoritetet braziliane besojnë se italiani e ka parkuar mjetin me qëllim, në pritje të atentatorëve, një prej të cilëve tanimë është arrestuar. Mendohet se Bertola e orkestroi krimin së bashku me një brazilian “për interesa financiare”, duke qenë se shqiptari do të zhvillonte një projekt në kompaninë e italianit dhe për shkak të ngritjes dhe dëshirës për të punuar të shqiptarit, biznesmeni kishte frikë se mos i prishej biznesi. Ndaj dhe vendosi ta eliminonte. Pas vrasjes, Bertola u ndal për disa ditë, por shpejt u la i lirë.

Sipas hetimeve të policisë, viktima nuk kishte armiq në Itali apo Brazil. Ai madje kaloi katër ditë në Kaucaia dhe në asnjë moment nuk u përfshi në një situatë që mund të krijonte pakënaqësi. Dëshmitarët i thanë gjithashtu Ministrisë Publike se grabitjet gjatë natës nuk janë të zakonshme në lagje. Gjë që shton dyshimet për vrasjen e shqiptarit, por ende nuk ka të dënuar./albeu.com


Shtuar 28.04.2022 18:51