Italia dhe Franca bashkojnë forcat për t’i siguruar Ukrainës mbrojtjen ajrore

Italia do të bashkojë forcat me Francën në furnizimin e mbrojtjes ajrore në Ukrainë, raporton Financial Times.

Italia është e gatshme të bashkojë forcat me Francën dhe të sigurojë një sistem më të avancuar të mbrojtjes raketore për Ukrainën, ndërsa kryeministrja e djathtë e vendit Giorgia Meloni kërkon të afirmojë mbështetjen e saj solide për Kievin. Në një intervistë, ministri i mbrojtjes Guido Crosetto tha se Roma ishte e përkushtuar për të përmbushur kërkesat e Ukrainës për armë për të mbështetur mbrojtjen e saj.

Crosetto tha se një paketë e ardhshme e ndihmës ushtarake italiane, që tani po përgatitet nga qeveria e Melonit, “ndoshta” do të përfshijë “armët e mbrojtjes kundër sulmit raketor rus”. Ai nuk pranoi të ofrojë detaje. Por ai tha se çdo vendim për mbrojtjen ajrore do të merret në bashkëpunim me Parisin.

Edhe pse detajet nuk janë konfirmuar, Italia pritet të sigurojë raketa-lëshueset, ndërsa Franca do të furnizojë raketat. Ministria e Mbrojtjes e Francës njoftoi këtë javë se të dy vendet në fund të vitit të kaluar porositën 700 raketa Aster të cilat përdoren nga ky sistem.

“Italia do të përmbushë kërkesat që janë bërë nga Ukraina brenda kufijve të mundësive të saj dhe mjeteve që ka. Ne do të japim gjithçka që mundemi pa rrezikuar mbrojtjen italiane. Ukraina dhe aleatët tanë do të jenë të lumtur për këtë”, tha Crosetto. /albeu.com

 


Shtuar 1.02.2023 08:30