Itali/ Sekuestrohet “mall” me vlerë 7 mln euro, “Kokat” e bandës një shqiptar dhe një italian

Një operacion antidrogë është zhvilluar në Padova, ku policia ka sekuestruar mbi 100 kg lëndë narkotike kokainë, hashash dhe marihuanë, që nëse dilnin në treg sillnin të paktën 7 milionë euro në xhepat e trafikantëve.

Dy persona të arrestuar, një shqiptar dhe një italian. Pakot ishin të shënjuara me numra dhe emra qytetesh apo zonash të koduara, dhe që simbolizonin porositësit e mallit apo blerësit.

Shqiptari i arrestuar është një 36-vjeçar që jetonte në Padova.

Hetimet kishin nisur që nga viti 2023, por vetëm së fundmi çoi në sekuestrimin masiv të kokainës, hashashit dhe marihuanës dhe arrestimin e një italiani.

Bastisja u bë në banesën e të dyshuarve, në Legnaro. Oficerët e policisë të drejtuar nga zv/komisarja e policisë Immacolata Benvenuto, kanë pritur që shqiptari të dalë nga shtëpia dhe e kanë ndaluar dhe më pas kanë hyrë brenda. I dyshuari u përpoq të kundërshtonte, por pa sukses.

Fillimisht u gjetën 35 blloqe kokainë për një total prej 38 kilogramësh. Në këtë moment policia u zhvendos në lagjen Guizza në Padova, në shtëpinë e një italiani të lindur në Shqipëri.

Në banesë nuk kishte drogë, por çelësat e një makine me qira, ku u gjetën edhe 2 kilogramë kokainë, 65 kilogramë hashash dhe një kilogram marijuanë, të fshehura në disa thasë, gjithashtu gati për dorëzim, informon ANSA. Në total janë 105 kg drogë.

Në dorezën e makinës ata zbuluan edhe një armë bosh me disa fishekë. Të dy u arrestuan menjëherë, teksa besohet se janë pjesë drejtuese e organizatës së narkotrafikut.

Gjithashtu, janë kontrolluar edhe tre persona të tjerë shqiptarë, ndërsa janë në kërkim edhe tre tunizianë të pastrehë, të përfshirë në trafikun e drogës.


Shtuar 19.04.2025 23:45