Islanda mbyll ambasadën e saj në Moskë për shkak të luftës në Ukrainë

Islanda mbylli sot ambasadën e saj në Moskë për shkak të luftës në Ukrainë, duke u bërë vendi i parë që ndërmerr një hap të tillë.

Në fillim të qershorit, ministri i jashtëm i Islandës, Tordis Gylfandottir vendosi se “situata aktuale” nuk e lejon delegacionin e vogël diplomatik të “operojë në Rusi”.

Islanda është vendi i parë evropian që ka marrë një masë të tillë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Reykjavik sqaron se kjo nuk është një ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike.

“Kur kushtet ta lejojnë, Islanda do t’i japë përparësi rifillimit të aktiviteteve të ambasadës islandeze në Moskë,” tha ambasada në një deklaratë.

Përfaqësimi i Islandës në Rusi tashmë do të bëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme në Rejkjavik. Një ditë pas njoftimit islandez, Moska e cilësoi “aksionin si anti-rus” dhe premtoi të përgjigjet.

“Ne do ta marrim parasysh këtë vendim jomiqësor kur të rivendosim marrëdhëniet tona me Islandën në të ardhmen”, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.

Islanda, me popullsi 375,000, ka mbajtur një ambasadë në Moskë që nga viti 1944, me një pushim në 1951-53.

Islanda ishte vendi simbolik i takimit Lindje-Perëndim në fund të Luftës së Ftohtë me samitin e vitit 1986 midis Presidentit të SHBA Ronald Reagan dhe liderit të Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbachev./Albeu.com/


Shtuar 1.08.2023 15:47