Ishte në kërkim, arrestohet në Durrës 38-vjeçari që trafikonte lëndë plasëse

Policia ka vënë në pranga 38-vjeçarin Febjus (Dritan) Dauti, i dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Durrës / Lokalizohet dhe vihet në pranga nga Komisariati i Policisë Durrës, një i kërkuar tjetër për tentativë për trafikim të lëndëve plasëse.

Shërbimet e Policisë, mbështetur nga inteligjenca informative, mbi vendndodhjet e një shtetasi të kërkuar, bënë lokalizimin dhe ndalimin e Febjus (Dritan) Dautit, 38 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese”, kryer në bashkëpunim.

Më 17.01.2015, 38-vjeçari, së bashku më 3 shtetas të tjerë, u konstatua duke transportuar 3 kallëpe lënde plasëse. Si rezultat i punës policore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Policisë së Durrësit vunë në pranga, më 18 tetor 2022, shtetasin Bledar Plaku, njëri nga bashkëpunëtorët e shtetasit Febjus (Dritan) Dauti, të vënë në pranga ditën e sotme.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 14:14