Ishte në arrest shtëpie, si u vra i riu në Korçë dhe trupin ia hodhën në liqen

Një 25-vjeçar nga Lushnja, që supozohej të ishte në “Arrest shtëpie”, ashtu sikurse kishte vendosur Gjykata, është gjetur i mbytur në një liqen në Korçë.

Kur banorët e fshatit Vithkuq të Korçës u pyetën nëse njihnin kufomën e një të riu në rezervuarin e Gjançit, asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni dhe më vonë, viktima rezultoi të ishte nga një tjetër zonë e Shqipërisë.

Banorët konstatuan kufomën në bregun e rezervuarit, i cili ndodhet buzë rrugës paraditen e së dielës rreth orës 11.00 dhe më pas njoftuan Policinë. Pas disa orësh në kontakt edhe me drejtori të tjera në vend, Policia e Korçës, e identifikoi trupin, i cili përket 25-vjeçarit, Fridman Xhaferraj nga fshati Plug i Lushnjës. Në vendin e ngjarjes, krahas grupit të hetimit dhe ekspertëve të kriminalistikës mbërritën edhe mjekët ligjorë e përfaqësues të Prokurorisë. Pas disa orësh nga momenti kur u zbulua trupi, Policia mundi të identifikojë viktimën, një person me precedentë penalë dhe që ndodhej në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

DYSHIMET PER VRASJE

Viktima, Fridman Xhaferraj, ishte akuzuar për djegien me qëllim të 3 makinave në afërsi të një qendre tregtare në Lushnjë. Pas arrestimit, ai u lirua nga qelitë e paraburgimit dhe më 21 maj të këtij viti u vendos në arrest shtëpie. Por, ndërsa ngjarja në pamje të parë u duk si aksidentale apo u dyshua edhe për një vetëvrasje të mundshme, këqyrja e kufomës ngriti të tjera dyshime.

Shenjat e gjetura në trupin dhe kokën e viktimës kanë bërë që grupi hetimor të dyshojë se kjo mund të jetë një vrasje dhe se trupi i të riut para se të hidhej ne rezervuarin e Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër. Burime brenda grupit hetimor thanë se përveçse një person me precedentë penal, viktima ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe njihej si një tip problematik.

Mbetet mister fakti se ai u arratis nga banesa dhe u largua në një distancë kaq të largët. Burimet për “Panorama” bëjnë me dije se në Lushnje nuk ka pasur një denoncim për zhdukje nga ana e familjarëve. Pas veprimeve të para në vendin e ngjarjes trupi i të riut u dërgua në morg ku pritet autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Do të jetë mjekët që do të përcaktojnë nëse vdekja e 25-vjeçarit, ka ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij apo si pasojë e mbytjes. Për t’i dhënë fund ngjarjes enigmatike, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

U gjet i vdekur, 25-vjeçari u arrestua për zjarrvënie

I riu nga Lushnja që u gjet i vdekur në një rezervuar në Korçë, u arrestua nga Policia në fillim të muajit maj, i akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme. Ngjarja për të cilën akuzohej Fridman Xhaferraj u regjistrua më 19 shkurt, në parkimin e një qendre tregtare ku u dogjën 3 automjete. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas një pune hetimore procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnjë, ndaluan shtetasin F. Xh., 26 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi është autori i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në datë 19.02.2021 në parkimin e një qendre tregtare në Lushnjë ku u dogjën 3 automjete dhe pjesërisht magazina e kësaj qendre tregtare”, sqaroi Policia në atë kohë. Automjetet u dogjën rreth orës 03:15 të mëngjesit të 19 shkurtit në parkingun e jashtëm të qendrës tregtare që ndodhet në lagjen “Çlirimi” në Lushnjë. Policia sqaronte se automjetet e djegura ishin te markave “Benz”, “Audi” dhe “Fiat”. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, por pas hetimeve rezultoi se 25- vjeçari ishte zjarrvënësi. Nuk dihen arsye se pse i riu ndërmori një akt të tillë. /panorama

 


Shtuar 14.06.2021 10:29