“Ishte inskenim” Policia zbardh plagosjen në Shkodër, arreston 24-vjeçarin dhe shokun e tij për fshehje të së vërtetës

Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në Shkodër, ku 24-vjeçari Isak Mehmedaj, u paraqit në spital me një plagë në bark, duke thënë se e kanë plagosur me armë zjarri.

Pas kryerjes së hetimeve është zbuluar se ngjarja është inskenuar dhe se 24-vjeçari është vetëplagosur. Si rezultat ai është arrestuar. Së bashku me Mehmedajn në pranga ka rënë dhe një 20-vjeçar për fshehjen dhe tjetërsimin e së vërtetës.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

U plagos aksidentalisht me armë zjarri dhe deklaroi se e kishin plagosur disa persona të panjohur, Policia zbardh ngjarjen dhe vë në pranga 24-vjeçarin.

Në pranga edhe një 20-vjeçar i cili sëbashku me 24-vjeçarin fshehën dhe tjetërsuan të vërtetën.

Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur  mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër,  nga disa persona të paidentifikuara,  nga hetimet e thelluara rezultoi se:

Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale.

Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë  shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues  ne fshatin Mushan Shkoder, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u arrestua në flagracë dhe shtetasi G. M., 20 vjeç, banues  në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 10.10.2021 11:46