Varrimi i Mino Raiola, agjentit të shumë kampionëve të futbollit, i cili vdiq pasditen e së shtunës në moshën 54-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të dhimbshme, do të bëhet në mënyrë rigoroze konfidenciale.
Dita, ora dhe vendi ku do t’i jepet lamtumira e fundit Mino Raiola-s nuk do të bëhen publike. Një zgjedhje, ajo e të afërmve të agjentit të njohur, në përputhje me konfidencialitetin e dëshiruar dhe mbajtur nga vetë Raiola dhe shoqëruesit e tij në muajt e fundit të jetës, gjatë përballjes së pasukseshme me sëmundjen e rëndë.
Disa nga frazat më të famshme të Raiola-s
Mino Raiola, agjenti i njohur i futbollit, i cili vdiq në moshën 54-vjeçare, nuk e “kafshoi” kurrë gjuhën dhe la disa fraza, që mbahen mend mirë. Një njeri me karakter, që nuk iu shmang kurrë përballjes dialektike.
“Duelet” me Guardiolën
Marrëdhënia mes Mino Raiolës dhe Pep Guardiolës ishte e tensionuar që kur Ibrahimovic u largua nga Barcelona, me trajnerin katalanas në atë kohë në stolin blaugrana. “Pep si trajner është fantastik. Si njeri, ai është një zero absolute. Ai është një frikacak, një qen”, – pati thënë agjenti për gazetën “Mirror”. “Cruyff dhe Guardiola duhet të shkojnë së bashku në një spital psikiatrik, të mbyllen atje dhe të luajnë letra”, – pati thënë ai në një moment tjetër.
Balotelli
Mario Balotelli ishte një nga lojtarët që ai përfaqësoi. Italiani, në qendër të polemikave të vazhdueshme, u fshikullua me raste edhe nga vetë Raiola. “Unë e kam zgjidhjen, do t’ia pres gjuhën”, – tha agjenti pas njërit prej përjashtimeve të tij.
Jurgen Klopp
Klopp u shigjetua verbalisht nga Mino Raiola për trajtimin që i bëri sulmuesit italian (Balotelli) gjatë qëndrimit te Liverpool. “Në fund të ditës, drejtuesit e Liverpool-it pranuan se Klopp ishte i padrejtë. Unë nuk do ta gjykoj atë si trajner, megjithëse për mua është një teknik i madh, por nuk mendoj se e kuptoi që po flasim për një njeri. Mario ishte shembullor, nuk ankohej kurrë kur duhej të stërvitej. Vetëkuptohet që Klopp ishte i padrejtë; ishte një m*t”, – pati thënë Raiola.
Barcelona
Barcelona ishte objektivi i sarkazmës së tij për shkak të situatës së Ibrahimovic, gjatë atij sezoni të suedezit me skuadrën katalanase: “Unë nuk kam respekt për një klub që nuk ka respektuar një nga lojtarët e mi”.
Kombëtarja italiane
Nganjëherë, ai nuk kishte mëshirë as për axurrët: “Ne kemi një kombëtare italiane të neveritshme, shumë të dobët, që nuk e ka idenë se çfarë të bëjë”.
FIFA
“Është si një diktator komunist që i thotë popullit se çfarë duhet të bëjë në çdo kohë. Populli tashmë e ka kuptuar se çfarë është. Opozita është frontale dhe transparente. Ne po punojmë me federatën zvicerane, sepse duam ta luftojmë atë nga këtu, nga Zvicra, ku është FIFA”, – do të shprehej Raiola para pak vitesh.
Ibrahimovic dhe Donnarumma
Jo gjithçka është përballje, ka edhe lëvdata të mëdha, fraza që kanë hyrë në histori si ajo që tha për Zlatanin: “Ibrahimovic është si Mona Lisa”. E njëjta gjë ndodhi me një tjetër nga lojtarët që ai përfaqësonte: Donnarumma. Ai tha për portierin italian: “Është i mirë si një Modigliani”, duke iu referuar punës së piktorit dhe skulptorit në fjalë./albeu.com