“Ishin 4 persona, dogjën Range-n, ikën me BMW dhe Audi”. Dëshmon roja në Golem pas sulmit ndaj Top Channel

Detaje të reja zbulohen në lidhje me sulmin me armë rreth orës 1:00 të natës së sotme në zyrat qendrore të televizionit “Top Channel”, ku mbeti i vdekur tragjikisht punonjësi i sigurisë, Pal Kola, vetëm 60 vjeç, duke u bërë i pafajshmi i dytë, që humb jetën në harkun e një kohe të shkurtër në 2 atentate të ndryshme.

Burime për mediat bëjnë me dije se dy kamera sigurie kanë arritur të filmojnë qartësisht gjithë momentin e atentatit. Bëhet fjalë për një kamera të subjektit “Top Channel” dhe një kamera tjetër vetëm pak metra metra më tej nga godina e televizionit.

Ndërkohë, dëshmitarë okularë bëjnë me dije se numri i personave të përfshirë në këtë ngjarje ka qenë katër, teksa mjeti “Range Rover”, i djegur në Golem, dyshohet se ka shërbyer pikërisht për këtë ngjarje. Bëhet me dije se një roje në një objekt në zonën ku është djegur “Range Roveri” ka parë katër persona.

Sipas dëshmisë së tij dhe detajeve të siguruara në rrugë të tjera, sqarohet se janë parë katër persona, që janë larguar vetëm 23 sekonda pas vënies së zjarrit në makinën “Range Rover”. Dyshohet gjithashtu se autorët janë larguar me dy makina të ndryshme, një “BMW” e zezë dhe një “Audi” gri.

Nga sa bëhet me dije, roja Pal Kola, që mbeti i vrarë në krye të detyrës, banonte në zonën e Sharrës dhe kishte rreth gjysmë viti, që i ishte ngarkuar ruajtja e godinës së “Top Channel”. Raportohet se 60-vjeçari ishte me origjinë nga Puka.


Shtuar 27.03.2023 13:03