Ish-ministri Beqaj del nga ambientet e SPAK pas 8 orësh: Prokurorët më konfirmuan se…

Ish-ministri Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e SPAK pas tetë orësh e gjysmë.

Në një prononcim për mediat, ai tha se mori konfirmim nga prokurorët se do t’i kthehen sendet e sekuestruara në kuadër të hetimit që po bëhet për këtë çështje.

“Hetimet janë shumë të ngushta, të shtrihen nga marsi i vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013, është domosdoshme të shtrihen në dy pjesë, pse dy vite e gjysmë u mbajt në qese, më konfirmuan që do të kem së shpejti ato sende që u sekuestruan që lidhen më vazhdimin e hetimit të sterilizimit, pasi të përfundojnë hetimi i pajisjeve do të më kthehen”, tha Beqaj për mediat.

Ditën e sotme, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i shoqëruar nga avokati i tij, është marrë në pyetje nga SPAK. Kjo është hera e tretë që Beqaj dëshmon në lidhje me dosjen e sterilizimit si person nën hetim ndaj të cilit më heret togat e zeza vendosen edhe masën detyrim paraqitje.

Pjesë e kësaj dosjeje janë edhe persona të tjerë, ish-zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, mes tyre ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Fillimisht Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre, por më pas iu shtua edhe akuza e falsifikimit të vulave dhe stampave zyrtare. Sa i takon hetimeve që janë në duart e SPAK, Beqaj rezulton nën hetim edhe për dosjen e Check-Up si dhe për abuzimet e që dyshohet se janë kryer në Agjencinë e drejtuar nga Beqaj deri pak kohë më parë e që kishte të bënte me koordinimin e fondeve të vendeve të huaja (SASPAC).

Gjatë hetimeve, me urdhër të SPAK u kryen edhe kontrolle në banesën e Ilir Beqajt ku u sekuestruan lap-topë, telefonë dhe disa dokumente. Për këtë dosje, SPAK ka siguruar edhe përgjime ambientale dhe telefonike.


Shtuar 9.01.2024 17:49