Arben Çuko do të jetë Prefekti i ri i Qarkut të Fierit, shkruan newsbomb.al. Ish-deputeti i Partisë Socialiste zëvendëson në këtë detyrë Mbarime Isufajn, e cila kishte më pak se katër muaj që ishte emëruar në këtë post.
Çuko ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, komandant i Gardës së Republikës, këshilltar i presidentit të Kosovës për sigurinë dhe prej Qershorit 2023 është këshilltar i ministrit Ulsi Manja.
Arben Çuko ka qenë deputet i Partisë Socialiste për Lushnjen, prej vitit 2009 dhe në vitin 2017 dha dorëheqjen, për t’u emëruar në krye të drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë periudhë ai dyshohet se ka kryer edhe veprat e korrupsionit pasiv.
Ai u arrestua dhe u dërgua në burg, ndërsa përgjimet e dosjes që rrodhën në media shkaktuan bujë të madhe.
Arben Çuko u akuzua se kishte marrë ryshfet nga vrasësi me pagesë, Olsi Karagjozi, për ta transferuar në një burg tjetër. Por pasi Çuko nuk e ka bërë një gjë të tillë, ka qenë pikërisht Karagjozi që e ka denoncuar. Ky i fundit është dënuar për atentat ndaj 5 biznesmenëve.
Tashmë, socialistët kanë vendosur që ta rikthejnë sërish Arben Çukon duke i besuar drejtimin e qarkut të cilin e përfaqësoi në dy mandate në Kuvendin e Shqipërisë, raporton newsbomb.al.
Në vitin 2020, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë përfundimisht çështjen ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Më herët, akuza ndaj tij u zbut nga Gjykata e Krimeve të Rënda nga “korrupsion i zyrtarëve të lartë” në “moskallëzim krimi”.