Ish-deputeti i PD: Veliaj i çon për “rrush e kumbulla” fondet e krizës në vend që të lehtësojë jetën e qytetarëve

6 milion euro për aktivitetet e Veliajt, Bogdani: Shkojnë për ‘rrush e kumbulla’ në vend që…

Ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani gjatë intervistës në RTV Ora tha se 6 milionë euro që do t’i merren shtetit nga fondi rezervë për aktivitetet e Veliajt që i ka bazuar në sloganin “Tirana Kryeqyteti i Rinisë” në vend që të shkojnë për të lehtësuar jetesën e qytetarëve, shkojnë “rrush e kumbulla”.

“Merren nga ai fond që qeveria e ka planifikuar ta ruajë rezervë për raste siç ishte pandemia, siç ishte tërmeti, siç është kjo krizë e çmimeve shumë të larta që po ndjen vendi sot. Pra këto lekë në vend që të shkonin për të rikuperuar këtë gjë dhe për të lehtësuar jetesën e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë sepse është një fond kombëtar shkojnë rrush e kumbulla për Bashkinë e Tiranës, pra për koncerte dhe ky është problemi kryesor. Ndërkohë që qytetarët e Tiranës dilnin e protestonin sepse litri i naftës shkoi 240 lekë, Bashkia jepte lekë për koncert në mes të sheshit. Dhe në këtë rast e  njëjta gjë merren lekët që janë  për hallet e hallexhinjëve dhe për qytetarët në tërësi dhe i jepen Bashkisë për fushatë elektorale pasi pak a shumë po hyjmë në një vit elektoral, për ti bërë rrush e kumbulla”, tha ai.

Më tej ai tha se “ky është problemi sot i Tiranës dhe i menaxhimit të qytetit, menaxhohet vetëm për marketing dhe fushatë, nuk vritet mendja çfarë po ndodh me qytetarët e vetë”.