Irfan Hysenbelliu dhe familja e tij kërcënohen me jetë, një ditë pasi News 24 u rikthye në transmetim

Biznesmeni dhe botuesi i disa mediave, Irfan Hysenbelliu është kërcënuar me jetë. Televizioni informativ që ai drejton, bën me dije se Hysenbelliu dhe familjarët e tij janë kërcënuar me jetë, por nuk japin më tepër detaje.

Mesazhi në adresë të familjes së biznesmenit dhe botuesit të News 24 dhe Gazetës Panorama, vjen vetëm një ditë pasi televizioni i parë informativ në Shqipëri, i drejtuar prej tij, u rikthye në transmetim në një godinë të re.

“Botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24”, thotë reagimi.

Sipas mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, ky shtetas raportohet se ka lidhje të ngushta me nivele të larta të qeverisjes. Po ashtu, bëhet me dije se avokatët e familjes do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, duke depozituar edhe provat përkatëse që provojnë kanosjen.

“Familja Hysenbelliu rikonfirmon mbështetjen e plotë për gazetarët dhe stafin e News 24 dhe Panorama Grup, duke i inkurajuar ata të vijojnë të pashqetësuar punën e tyre fisnike në raportimin e lajmit dhe denoncimin e korrupsionit”, përmbyllet reagimi.

Televizioni News 24 dhe të gjitha mediat që janë pjesë e grupit “Focus Media” në pronësi të Irfan Hysenbelliut, ndalën transmetimin për 10 ditë me radhë, deri dje më 18 Gusht, pasi Policia zbarkoi në godinën e medias dhe kërkoi që ta lironin, sipas vendimit të Gjykatës.

Sipas Avokaturës së Shtetit, prona ishte shtetërore dhe kompania e Irfan Hysenbelliu kishte 2 milionë euro detyrime të papaguara. Ndërkohë, “Focus Media” pretendon se ndërprerja e dhunshme e sinjalit, pa paralajmërim, është bërë qëllimisht.


Shtuar 19.08.2025 16:18