Operacioni i ardhshëm hakmarrës iranian kundër Izraelit nuk do të jetë “i kufizuar”, paralajmëroi Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, duke shtuar se operacioni i mëparshëm “Operacioni i sinqertë” ishte ndëshkues, por jo gjithëpërfshirës.
Raisi vuri në dukje se sulmi ndaj Izraelit, ishte një njoftim për SHBA-të dhe “përkrahësit e regjimit sionist” se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme për t’u mbrojtur.
“Dëshiroj t’u them vendeve të rajonit se forcat tona ushtarake janë krijuesit e sigurisë, paqebërësit, se ato i japin autoritet rajonit dhe se janë plotësisht të besueshme”, tha Raisi dhe u tha vendeve përreth që të mos bashkëpunojnë me Izraelin dhe se “nuk ka nevojë për forca të huaja” në rajon.
Presidenti i Iranit, theksoi se fuqia ushtarake e këtij vendi nuk menaxhohet nga forcat e huaja, por se përfaqëson autoritetin e “kombit të madh të Iranit”.
Raisi shtoi se forcat ushtarake janë me popullin dhe se vendet e rajonit mund të mbështeten te Irani, dhe ai u tha forcave të armatosura të Iranit se ata duhet të jenë krenarë për mbështetjen e ofruar për popullin palestinez në Gaza gjatë sulmit në Gaza nga Izraeli.