Investimi strategjik: Plazhi në Dhërmi u përfitua nga “kunata” e ministres Xhaçka

Më 2 mars, Këshilli i Ministrave shpalli vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Dhërmi për një periudhë 30-vjeçare në favor të kompanisë ‘AGTCC Hotel Management’, pasi kjo e fundit mori statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i cili udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama.

Sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania ‘AGTCC Hotel Management’ është në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një 31-vjeçare e lindur në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara dhe banore e rezidencës “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Sutton është gjithashtu partnerja prej shumë vitesh e Andi Xhaçkës – vëllai i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, një fakt që për ekspertët ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi dhe nepotizëm.

Rasti në fjalë është sipas Zef Preçit, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike, tregues se ligji i investimeve strategjike është kthyer në instrument për personat e lidhur me pushtetin.

“Madje qoftë edhe një konflikt në dukje i interesit formon detyrimin për deklarim për subjektin përkatës vendimmarrës, gjë që nuk dihet nëse është bërë apo jo,” tha Preçi për BIRN.

Kompania e Sutton e fitoi të drejtën e përdorimit të tokës në bregdet nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë AG.TCC Sh.p.k – në pronësi 100% të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres Xhaçka.

Kompania e Gaçit ka marrë statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”, ndërsa vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij.

Gaçi i tha BIRN më 3 mars se për të shmangur konfliktin e interesit, ‘kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin’, por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kërkimet e tij janë kufizuar brenda familjes.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshorti i saj, Artan Gaçi dhe drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim pranë Këshillit të Ministrave, Endri Fuga nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. BIRN u përpoq gjithashtu të kontaktonte.

Investimi strategjik

Ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015 dhe i shtyrë dy herë nga Parlamenti i njeh statusin ‘investitor strategjik’ në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë.

Projekti “Dreamades Luxury Suites’ i kompanisë AG. TCC të Artan Gaçit e ka përfituar statusin e investitorit strategjik më 29 mars 2021, sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS që BIRN e disponon.

Kompania ‘AGTTC Hotel Management’ në pronësi të Sutton është regjistruar në QKB me 25 qershor 2021. Veprimet e regjistrimit janë bërë me prokurorë nga juristja Iris Erebara, e cila është gjithashtu juriste e kompanisë ‘AG.TTC’ Sh.p.k në pronësi të Artan Gaçit.

Pas regjistrimit në QKB, dy kompanitë kanë nënshkruar një marrëveshje për operimin e strukturave turistike në projektin “Dreamades Luxury Suites”, ku përfshihet dhe operimi i stacioneve të plazhit përballë hotelit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ‘AG.TTC’ Sh.p.k i ka kërkuar Komitetit të Investimeve Strategjike reflektimin e saj në vendimin e shpalljes së investimit strategjik.

Më 15 korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga kryeministri Edi Rama e miratoi kërkesën dhe i njohu kompanisë së sapokrijuar nga Sutton masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonën përkatëse të plazhit përballë kompleksit për një afat 30-vjeçar.

Në dy vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike përcaktohen edhe lehtësi të tjera për dy kompanitë në pronësi të familjarëve të afërt të ministres Xhaçka, të tilla si asistencë dhe procedurë e përshpejtuar për çdo akt administrativ, funksionimin e shërbimeve mbështetëse të furnizimit me ujë, lidhjen në rrjetin elektrik, kanalizimet e ujërave dhe infrastrukturë rrugore për objektin.

Neni 70, pika 3 e Kushtetutës i ndalon deputetët që të kryejnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të tyre. Për shkelje të paragrafit 3, çështja mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Sokol Nano nuk i dha një përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes së BIRN nëse përfitimi i tokës publike nga të afërmit e ministres Xhaçka përbënte shqetësim për konflikt interesi.

“I gjithë procesi është legal. AIDA ka bërë verifikimin e të gjithë dokumenteve për dhënien e statusit,” tha Nano.

Nga studente në investitore

Ligji për investimet strategjike ka për qëllim thithjen e kapitalit të huaj ose ‘zgjimin’ e kapital vendas, për të përthithur investime në sektorë të rëndësishëm ekonomikë, duke krijuar vende të reja pune dhe zhvillim rajonal, nëpërmjet ofrimit të teknologjive të reja për rritjen e konkurrencës dhe efektivitetit të investimit, duke siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të konsumatorit.

Ky ligj është shfrytëzuar kryesisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në fushën e turizmit, për të konsoliduar pronat e kontestuara për korrupsion dhe falsifikime, mbi të cilat janë ngritur resorte me vila në bregdenin e Jonit.

Ish-deputeti socialist Artan Gaçi njihet si investitor në fushën e ndërtimit dhe gastronomisë në Tiranë. Të dhënat e siguruara nga BIRN nuk tregojnë angazhime të mëparshme biznesi të Tawni Sutton, me përjashtim të ndjekjes prej saj të studimeve për Biznes në Universitetin e New Yorkut në Tiranë.

Edhe pse llogaritë e Sutton dhe Andi Xhaçkës në rrjetet sociale rezultojnë të mbyllura ose të fshira, gjurmë të marrëdhënies së tyre disa vjeçare – e cila duket se ka filluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdojnë të ekzistojnë në internet në postimet e njerëzve të afërt.

Në vitin 2019, në faqen në internet të kompanisë amerikane të veshjeve dhe orendive shtëpiake ‘Antropologie’, ekziston një postim në emër të Tawni Sutton, e regjistruar për të marrë dhurata për ‘festën e nuses së zonjës së ardhshme Xhaçka’.

Nëna e saj, Heather Sutton ka postuar gjithashtu në Instagram një foto me Andi Xhaçkën, ku pasi i uron ditëlindjen, shkruan se ishte “krenare që e kishte dhëndër”.

Në faqen e saj në Facebook, Heather Sutton mban gjithashtu foto të çiftit të vendosura në kornizë në shtëpinë e saj si dhe foto me të bijën dhe Xhaçkën pranë një peme krishtlindjesh.

BIRN siguroi gjithashtu dy numra telefoni nga një person që e njihte Znj. Sutton, por rezultoi se njëri prej tyre është i regjistruar në emrin e Andi Xhaçkës dhe është lënë si kontakt i biznesit të tij në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB.

Persona që e njihnin çiftin i konfirmuan për BIRN në kushtet e anonimatit se çifti jetonte bashkë prej shumë vitesh, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Tiranë.