Kostot e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë kapur shifra te frikshme. 33 kilometrat e këtij aksi interurban të kategorisë C2, kanë kushtuar gati 13 miliardë lekë afro 108 milion euro, ndërkohë që në fillim i gjithë projekti ishte parashikuar me një kosto totale mes 50-60 milionë euro. Ndërtimi ka filluar që në vitin 2008 nga qeveria Berisha e cila tenderoi lotin e parë me 679 milion leke, sipas ARRSH, ose rreth 5,6 milion euro, për një gjatësi 7.1 kilometra.
Me ndërrimin e qeverive projekti u zvarrit për disa vite, ndërkohë që përmes një skeme të copëtimit të punimeve në shumë lote, paratë u shpërndanë në disa tendera. Dyshimet janë të mëdha për mënyrën se si janë prokuruar paratë nga ARRSH pasi në shumë raste për lote të caktuar janë zhvilluar shtesa punimesh në vlera të konsiderueshme, të cilat janë fituar nga të njëjtat kompani që kishin fituar tenderin fillestar.
ARRSH bëri të ditur për “News24” se lotet 2 dhe 3 kanë kushtuar në total më shumë se 1 miliard lekë ose 8,7 milion euro. Ndërkohë skema me dy tendera për të njëjtin lot ka nisur me lotin numër katër, që është fituar në shtator të 2018 me 99% të fondit limit nga Cobial shpk dhe Gjoka konstruksion për rreth 2,4 miliardë lekë ose 20 milionë euro për 6,1 kilometra. Por 20 milionë euro nuk mjaftuan dhe ARRSH prokuron 3,8 milionë euro të tjera në prill të 2021.
Negociatat e punimeve shtesë bëhen me bashkimin e operatorëve “Cobial shpk” dhe “Gjoka Konstruksion”, që pati fituar tenderin e parë. Dokumenti i shpalljes së fituesit mban firmën e Ergys Verdhos. E njëjta procedurë edhe për lotin 5, ku në shtator të 2018 fituese ka dalë kompania “ALB-STAR” me një ofertë prej 1.78 miliardë lekësh ose 14 milionë euro, për 3,3 kilometra rrugë. Oferta ishte sa 98% e fondit limit, ndërkohë më pas në prill të 2021 e njëjta kompani ka negociuar me Autoritetin Rrugor Shqiptar një kontratë për shtesë punimesh 332 milionë lekësh, afro 2,6 milionë euro.
Në tetor të 2018 ARRSH shpalli fituese për lotin 6 bashkimin e operatorëve “Agbes shpk” & “Arberia” që dhanë një ofertë prej 2,37 miliard lekësh gati 20 milion euro, për rreth 4,5 kilometra. Edhe në këtë rast oferta është shumë pranë fondit limit, por pavarësisht kësaj në prill të 2021 ashtu si për lotet 4 dhe 5 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka negociuar 467 milion lekë ose 3,9 milion euro shtesë punimesh. Në të treja rastet kompaninë ndërtuese kanë justifikuar shtësën e punimeve me probleme gjeologjike të hasura rrugës.
Për lotin 7 tunelin e Skërficës fituesi është shpallur në korrik të 2020 nga ARRSH pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik. Kontrata u lidh me bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga Gjoka Konstruksion me një vlerë gati 1,8 miliardë lekë ose rreth 15 milion euro. Ndërkohë skandali me kostot shtesë thellohet pasi në të gjashta lotet e gjatësisë së rrugës janë zhvilluar shtesa të treta punimesh. Një kontratë prej 1,43 miliardë lekësh, rreth 11 milion euro është fituar në maj të këtij viti nga Gener 2 për sistemimin dhe rivitalizimin e Skarpateve, dhe një kontratë tjetër prej 220 milion lekësh rreth 1,8 milion euro është fituar në shkurt po të këtij viti nga kompania “Jubica” për sinjalistikën rrugore. Kësaj rradhe dokumentet mbajnë firmën e pasuesit të Ergys Verdhos, Evis Berberit.
Normalisht çdo rrugë që tenderohet dorëzohet tek autoriteti kontraktues me sinjalistikë, dhe me tërësinë e punimeve të skarpateve të realizuara, ndërsa procedura e ndjekur nga Autoriteti Rrugor Shiqptar i ka nxjerrë kostot e projektit të aksit Kardhiq- Delvinë jashtë kontrollit. Plot 3 kontrata shtesë punimesh dhe 2 kontratat për punime ekstra kanë bërë që Kardhiq-Delvinë të kushtojë plot 13 miliardë lekë afro 108 milion euro për 33 kilometra rrugë interurbane dytësore. Askush nuk mban përgjesi deri më tani për këtë fryrje të madhe të kostove, ndërkohë që kjo është një faturë me një drejtim, qytetarin shqiptar./BW/