Interpol e kërkonte për vrasje, 22-vjeçari prangoset në Rinas

Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet holandeze.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se është vënë në pranga Mirand Abazi, 22 vjeç, banues në Belgjikë.

I riu akuzohet për një vrasje të kryer dhe një sërë veprash të tjera penale, për të cilat pritet edhe të ndëshkohet.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare e Rinasit vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e zbatimit të ligjit të  Holandës.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrollit për verifikimin e dokumentacionit të qytetarëve në hyrje dhe në dalje, me qëllim kapjen e personave në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, ndaluan shtetasin M. A., 22 vjeç, banues në Belgjikë.

Ky shtetas u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit  të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Vjedhja me dhunë”, “Pastrim parash” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës.

Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./albeu.com/


Shtuar 28.12.2021 13:11