Aksidentet në rrugë kanë vijuar tendencën e tyre rënëse edhe në korrik.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në muajin korrik 2022 numërohen 105 aksidente rrugore nga 114 të ndodhura në muajin Korrik 2021.
“Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 7,9%. Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 150 persona nga 175 që ishte në muajin Korrik 2021” vlerëson INSTAT.
Numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 6 persona, nga 13 persona të vdekur në Korrik 2021.
Sipas INSTAT në 87,6% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Referuar shifrave numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 26,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 9,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në shtatëmujorin e vitit 2022, numërohen 686 aksidente rrugore nga 785 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 12,6%.
Numri i të aksidentuarve është 971 persona nga 1050 persona të aksidentuar në shtatërmujorin e vitit 2021.Numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 95 persona nga 118 persona të vdekur në shtatëmujorin e vitit 2021.
Aksidentet rrugore, në 12,5% të rasteve, në shtatëmujorin e vitit 2022 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 30,1%” thuhet në publikimin e INSTAT.