Rritja e çmimeve është ngadalësuar sërish në muajin prill, dukë reflektuar bazën e lartë të një viti më parë.
Tendenca është ndikuar më së shumti nga rënia e çmimeve të karburanteve, që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin rreth 240 lekë për litër, ndërsa këtë vit kanë zbritur poshtë 180 lekëve.
Të lidhura
None found
Por çmimet e ushqimeve vijojnë të mbeten të shtrenjta, duke dhënë ndikimin kryesor në inflacion.
Sipas INSTAT Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2023, arriti 114,7 kundrejt muajit Dhjetor 2020.
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2023 është 4,6%, një vit më parë ky ndryshim ishte 6,2%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2023, krahasuar me Mars 2023 është 0,03%.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,43 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,48 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,71 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,6%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5%, “Veshje dhe këpucë” me 3,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3%, “Shërbimi arsimor” me 2,1%, “Shëndeti” me 1,4% dhe “Komunikimi” me 1,2%.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënoi ulje me 10,7%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 15,5%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 13,5 %, “mish” me 12,3%, “zarzavate përfshirë patatet” me 10,7%, “fruta” me 7,7%, “bukë dhe drithra” me 5,6%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 4,9%.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2023, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” u rritën me 0,9%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6%, Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,5% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4%, “Shëndeti” me 0,3%, “Komunikimi” me 0,2%, “Veshje dhe këpucë” dhe Shërbimi arsimor” me 0,1% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën më 1,1%, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2%./monitor





