Projektet e inceneratorëve do të mbahen mend për numrin e lartë të zyrtarëve publikë që shkuan para drejtësisë, por në të njëjtën kohë edhe si një precedent që, pavarësisht veprave penale që shkaktuan, u financuan nga buxheti i shtetit me taksat e shqiptarëve, në injorim të plotë të moralit qeverisës dhe ligjeve të shtetit.
Teksa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeminisrit Arben Ahmetaj, ndërkohë që në burg janë një seri zyrtarësh të lartë dhe ish-ministra, buxheti i shtetit vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 financoi me 586,5 milionë lekë (5.5 milionë euro) inceneratorin e Tiranës.
Që nga fillimi i projekteve, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë (103 mln euro) deri në fund të qershorit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave që raportohen nga “Open Data Albania”.
Më herët, burimet e rezervuara nga Ministria e Financave i pohuan “Monitor” se pagesat buxhetore për inceneratorët mund të bllokoheshin, por më parë duhet të nisë një hetim administrativ nga ministria e linjës që mbikëqyr kontratat, që në këtë rast është Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë.
Deri më tani qeveria nuk ka marrë hetime administrative ndaj kompanive, madje ministritë e linjës hezitojnë të raportojnë edhe të dhënat periodike mbi kontratat dhe stacionet e punimeve siç i detyron ligji.
Një praktikë e ngjashme po ndodh edhe me koncesionet në sektorin shëndetësor, ku ka mungesa të theksuara në raportimin dhe monitorimin e treguesve, teksa fondet ndaj tyre po rriten vit pas viti edhe më shumë se parashikimet në kontrata.
Të dhënat nga Ministria e Financave nga Thesari të përpunuara nga “Open Data Albania” tregojnë se financimi progresiv për inceneratorin e Tiranës ka arritur deri në fund të qershorit te këtij viti 5,6 miliardë lekë, “52.6 mln euro”, ku rreth 5,5 milionë euro u dhanë në janar-qershor të këtij viti.
Inceneratori i Fierit ka marrë deri në fund të prillit 2023 një shumë prej 3.5 miliardë lekësh sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ose rreth 33 milionë euro, ndërsa për impiantin e Elbasanit janë bërë pagesa 1,9 miliardë lekë, rreth 18 milionë euro.
Kompania integrated Technology Services nën sekuestro dhe nën administrimin e Farudin Arapit (administratori në emër të shtetit) me ortak Klodian Zoton ka marrë këtë vit edhe 2 milionë euro pagesa buxhetore për shërbimeve ndaj ndërmarrjeve të ujësjellësve sipas të dhënave nga thesari i Ministrisë së Financave.
Personat, që zotërojnë kontratat e incineratorëve janë shpallur në kërkim nga organet hetimore dhe kontratat e nënshkruara janë thyer tashmë pasi nuk i kanë zbatuar afatet për ndërtimin e impianteve. Kompanitë që po paguhen sistematikisht me taksat e shqiptarëve ka ngritur skema pastrimi krejtësisht të pasofistikuara kanë zbuluar hetimet e SPAK.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar më herët ketë vit se, projekti i inceneratorit të Tiranës ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa Bashkisë së Tiranës nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve.
Bashkia e Tiranës ka paguar në periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë (26.5 milionë euro) shtesë, krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh.
Prej vitit 2018 deri aktualisht, thekson KLSH, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë (MIE) janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qenë se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane./monitor