U zhvillua ditën e sotme në ambientet e Medresesë Tiranë, ceremonia e inaugurimit të projektit “Në ndihmë të fëmijëve jetimë të Republikës së Shqipërisë”, projekt ky i financuar nga Qendra Bamirëse “Mbreti Selman” dhe i aplikuar në vendin tonë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me koordinim të Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, z. Fajsal Gazi Hifdhi, myftinj të rretheve të ndryshme në të cilët shtrihet ky projekt si dhe familjarë e fëmijë jetim që kanë përfituar prej tij.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, shprehu kënaqësinë e tij në jetësimin e këtij projekti kaq domethënës në bashkëpunim me qendrën “Mbreti Selman”, qendër e cila sipas tij synon të sjellë gëzim jo vetëm tek fëmijët jetimë që do të përfitojnë nga projekti në fjalë, por nga të gjithë njerëzit kudo në botë që përfitojnë nga projekte të ngjashme.
“Ne i njohim dhe i ndjekim vazhdimisht aktivitetet e mëdha të kësaj qendre dhe kemi qenë dëshmitarë teksa ajo ka lançuar projekt pas projekti në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe vendin tonë të dashur, Shqipërinë. Prandaj, sot është një nder i madh për ne në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë të jemi aleati kryesor i qendrës “Mbreti Selman” në mbështetjen e 206 jetimëve në 10 rrethe të vendit.” – tha ai.
Më tej, të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe ambasadori Hifdhi, i cili u shpreh se këto ndihma janë pasqyrim i vizionit të Mbretit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, mbretit Selman, të cilët zgjasin dorën e ndihmës kudo ku është nevoja në të gjithë botën.
“Jam i lumtur dhe krenar të jemi këtu sot për të inauguruar këtë projekt të fondacionit “Mbreti Selman”, në mbështetje të jetimëve, nën kujdesin e veçantë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Kjo mbështetje ekonomike, vjen krahas ndihmave të tjera që fondacioni humanitar zhvillon në Shqipëri. Shqipëria dhe Arabia Saudite kanë lidhje të fortë miqësore dhe këto projekte janë shembull i mirë i marrëdhënieve historike që ekziston mes dy vendeve” – u shpreh Ambasadori.
Fjalë të rastit, ku trajtuan ecurinë e deritanishme të këtij projekti dhe problematikat apo nevojat e përgjithshme lidhur me këta fëmijë, mbajtën gjithashtu edhe Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, Myftiu i Lushnjës, Gramos Blliku dhe Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi.
Në fund të ceremonisë u shpërndanë në mënyrë simbolike disa zarfe me mbështetjen financiare të muajit Janar.
Ky projekt, përveç mbështetjes financiare mujore për këta 206 jetimë për të gjithë vitin në vazhdim, përfshin edhe kurset edukative me fëmijët, kurse të cilat kanë vazhduar dhe zhvillohen çdo javë nën kujdesin e Myftinive ku shtrihet projekti.