Ilir Meta prezanton ekipin e tij në Partinë e Lirisë

Ish-presidenti Ilir Meta, pasi shkarkoi Endrit Braillmarin, nga dy postet që mbante në Partinë e Lirisë, ka prezantuar ekipin e ri të punës.

Ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së kryesisë, Meta shkarkoi Braimllarin nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së dhe nga posti i sekretarit politik në Korçë e Tiranë.

Sot, 16 prill, ai ka ndarë një foto në “Facebook”, ku vihet re mungesa e grupit të Kryemadhit.

“Puna sot nisi me debatet për ndryshimet në program sipas 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus. Falenderoj z.Haxhinasto dhe të gjithë kolegët që punojnë me shumë përgjegjësi!”, shkruan Meta krahas fotos.

 

Ai shfaqet në tryezë me Tedi Blushin, Paskal Milon, Edmond Haxhinaston, Miranda Rirën, Edmond Panaritin dhe disa anëtarë të tjerë të partisë.

Gjatë mbledhjes së sotme, ka munguar sërish Monika Kryemadhi.

Ditën e djeshme, në mbledhjen e kryesisë ku mungonte bashkëshortja e tij, njëherësh anëtarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, Meta deklaroi se partia nuk do të ketë dy drejtues.

“Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatin e autobusit”, deklaroi ai.

Meta gjithashtu, paralajmëroi rithemelimin e partisë që drejton, në Konventën që do të mbahet më 27 prill.

Meta u bëri thirrje kujtdo që dëshiron të drejtojë Partinë e Lirisë, që të kandidojë në Konventën e 27 prillit.

“Ftoj këdo që ka dëshirë të drejtojë më mirë PL të kandidojë në konventën që vjen. Ftoj cilindo që ka një platformë më të mirë, ta paraqesë. Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatinë autobusit“, tha Meta.

Ilir Meta, përgjatë javëve të fundit ka shtuar mesazhet për tradhtarë brenda radhëve të Partisë së Lirisë. Vetëm disa ditë më parë, ai tha se ka larguar gardistin duke e quajtur patronazhist të Erion Veliajt, ndërsa nuk kanë munguar as akuzat se figura të Patrisë së Lirisë janë shitur te Edi Rama.


Shtuar 16.04.2024 12:23