Ilir Meta: Nuk respektohet as standardi i gjykimit të ish-Kryeministrit Nano, por jam i pamposhtur dhe superior përballë burracakëve

Këtë të hënë, ish-presidenti i vendit Ilir Meta, u shfaq për herë të parë në publik që pas arrestimit në tetor 2024, ku ka reaguar në lidhje me shtyrjen e seancë së parë të gjyqit në themel.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Meta ngre shqetësimin për mënyrën sesi ai po trajtohet në sallën e gjyqit, duke kërkuar që të mos mbahet në kafazin prej xhami.

Të lidhura

None found

Meta kërkon që në gjyqin ndaj tij nuk po respektohet as standardi i gjykimit të Fatos Nanos dhe ish -funksionarëve të regjimit, kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

“Drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës. Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon”, shkruan Meta.

Ish-kreu i shtetit thotë se është krenar për patriotizmin e tij, duke theksuar se; “kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve”.

Reagimi i Ilir Metës:

Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.

Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.

Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.

Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.

Sidoqoftë, ka një “koherencë” të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.

Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.


Shtuar 27.04.2026 13:11

Tags: