Ngjarja e rëndë e 30 tetorit 2024 në Dobraç vazhdon të mbetet një çështje e mbushur me pikëpyetje dhe mister. Një çështje ende e pazgjidhur nga autoritetet është fakti nëse i shumëkërkuari Ibrahim Lici ishte atë ditë në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushati apo jo.
Pavarësisht dyshimeve, policia ende nuk ka arritur të identifikojë plotësisht personin në videon që qarkullon kudo. Ajo çka ka krijuar më shumë pikëpyteje është fakti që forcat policore të pranishme në skenën e krimit nuk ndërhynë për ta ndaluar apo marrë në pyetje, duke sjellë pezullimin e disa efektivëve.
Në dëshminë e tij të siguruar nga emisioni N’shënjestër, oficeri Blerim Kurmekaj ka rrëfyer se në momentin e mbërritjes së tyre në vendngjarje. Sipas tij skena dukej si një aksident automobilistik, por më vonë u konstatua se makina kishte shenja plumbash. Ai gjithashtu përmendi se personi i gjakosur mund të jetë larguar me një ambulancë ose në këmbë.
“Më datë 30 Tetor 2024 unë kam qenë i planifikuar me shërbim në qytet nga ora 14.00 deri në orën 22:00. Rreth orës 15:45 dëgjova në radio sallën e komandimit duke u bërë thirrje shërbimeve të qarkullimit rrugor që të afrohem tek ish-SMT pasi ka ndodhur një aksident i rëndë. Pasi zbritëm nga makina, në vendngjarje ne vumë re një automjet Mercedes Benz me targa të huaja, i dalë nga rruga, i përplasur në një shtyllë betoni ku të jepte përshtypjen e një aksidenti.
Dhe pas këtij mjeti një person të shtrirë të seksit mashkull si dhe disa persona të tjerë rreth tij, që po mundoheshin t’i jepnin ndihmën e parë. Duke shikuar ‘Benz’-in konstatuam se në automjet kishte shenja të përdorimit të armës së zjarrit. Ne jemi munduar t’u vinim në ndihmë të dëmtuarve, dhe për pasojë nuk kemi shoqëruar asnjë person në polici nga vendi i ngjarjes.
Lidhur mbi personin e gjakosur në duar dhe fytyrë, ne menduam mos ishte aty për t’i dhënë ndihmë personave të dëmtuar,” tregoi oficeri i policisë Blerim Kurmekaj.
Atentati i Dobraçit shihet si një vazhdim i përplasjeve të përgjakshme mes fiseve Lici dhe Bajri, një konflikt që ka tronditur Shkodrën prej vitesh dhe që kulmoi me një seri vrasjesh të pazbardhura. Një nga episodet kyçe që ndezi këtë përplasje ishte vendosja e tritolit biznesmenit Lulzim Kulla në janar 2018, ngjarje që solli një zinxhir hakmarrjesh mes palëve.