I vunë tritol në banesë, KLGJ i cakton 6 muaj mbrojtje gjyqtarit Tonin Sterkaj

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e sotme, vendosi të sigurojë mbrojtje fizike për gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Sterkaj, i cili u intimidua e kërcënua me tritol në banesë.

Garda e Republikës, do mbrojë Sterkajn dhe familjen e tij për një periudhë 6 mujore. Vendimi erdhi një ditë pasi në portën e shtëpisë së gjyqtarit u vendos një sasi e vogël tritoli që shkaktoi dëme materiale.

Ishte ora 02:55 e 28 prillit 2024. I veshur me të zeza, kapuç në kokë dhe doreza të bardhja mjekësore, një person afrohet qetësisht dhe vendos lëndën plasëse në portën e shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj.

Pasi nxjerr tritolin nga xhupi e vendos në cep të derës. Më pas e ndez dhe largohet me shpejtësi nga e njëjta rrugicë që u pa të vinte. Në orën 02:59 minuta ndodh shpërthimi.

Në video evidentohet e gjithë dinamika e lëvizjes së autorit.

Autori ende nuk është identifikuar, ndërkohë sipas procedurave Policia e Shkodrës ka marrë në mbrojtje gjyqtarin Sterkaj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendosi që gjyqtari të merret në mbrojtje për 6 muaj. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera.

Si ndodhi ngjarja?

Një sasi e vogël tritoli u vendos paraditen e 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj.

Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Dëshmia e gjyqtarit Sterkaj nuk ka ndihmuar hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime.

Kush është Tonin Sterkaj?

Tonin Sterkaj, ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër, ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.


Shtuar 29.04.2024 14:25