I vranë papagallin dhe i lanë një plumb në oborr, reagon pronarja e kërcënuar në Dhërmi: Toka këtu mund të më kushtojë jetën

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në Dhërmi, ku një grua, pronare tokash atje, është kërcënuar me jetë duke i lënë një plumb në oborr dhe duke i vrarë papagallin.

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në Dhërmi, ku familja Bua është kërcënuar përmes një mesazhi të koduar të mbërritur në banesë. Persona të paidentifikuar, pasi kanë vrarë papagallin e familjes, kanë lënë në ambientet e oborrit një plumb të paplasur.

Në një prononcim për media, pronarja Irini Bua, banore në fshatin Dhërmi, shprehet se ky kërcënim vjen si pasojë e konfliktit që ajo ka për pronat me persona të tjerë. Në lidhje me kërcënimin e sotëm ajo bën përgjegjës familjen e kryeplakut të fshatit me mbiemër Marku.

Irini Bua thekson gjithashtu se përpara 6 muajve i kanë vrarë dhe qënin e shtëpisë dhe tashmë ndihet e kërcënuar pasi nuk e di çfarë mund t’i ndodhë për herë të tretë.

“Para 6 muajve, do t’ju them zanafillën e muhabetit, më kanë vrarë një qenë pastor gjerman mu këtu poshtë. E kemi gjetur të ngordhur. Kemi bërë deponimin në prokurori, por e kanë pushuar çështjen pasi nuk kanë gjetur autorin.

Atje janë bërë falsifikime dhe baza e falsifikimeve ka dalë nga zyra e Kadastrës së Vlorës. Në këto famile është e implikuar familja Marku. Kemi të bëjmë një familje e cila ka bërë kërdinë në Dhërmi. Mund të kenë AMTP mbi 20 copë personi. Mendoj se ngjarja e sotme lidhet me Mond Markun.

Unë pardje e bëra të madhe në Himarë dhe mbrëmë ndodhi kjo. Sot në mëngjes im shoq shkoi të bënte pazaret, siç bën përditë. Kishim një papagall atje që fliste dhe ishte shumë mirë. Kur im shoq shkoi ta ushqente, shikon që zogu kishte ngordhur. Menduam se zog është dhe mund të ketë ngordhur.

Kur burri hapi derën e garazhit për të nxjerrë makinën shikon plumbin në mes të oborrit dhe lajmëruam menjëherë policinë. Nuk e dimë çfarë do jetë e treta. Kam një diçka që unë nuk kam frikë, e kam marrë parasysh gjithçka. Gjithë kjo kërdia që ndodh në Dhërmi mund të më kushtojë dhe jetën, le të më kushtojë. Jemi në konflikt me shumë palë është familja Marku, është Xhevat Shehu që ka bërë një hotel 5 milionë euro”, është shprehur pronarja./albeu.com/


Shtuar 22.10.2021 19:29