I riu shqiptar në Greqi bën aktin heroik, shpëton nga zjarri fëmijën 1 vjeç

Sot, shumë media greke i kanë kushtuar vëmendje aktit heroik të një të riu shqiptar që i ka shpëtuar jetën një fëmije në qendër të qytetit Lamia.

Bëhet fjalë për Dionis Abdiaj, lindur dhe rritur në këtë qytet, në një familje emigrantësh nga Shqipëria.

Të lidhura

None found

22-vjeçari shqiptar, që konsiderohet hero prej mediave, ka shpëtuar një djalë 1 vjeçar nga flakët e zjarrit që kishin përfshirë banesën ku jetonte gjyshja e të miturit dhe 2 nipërit e tjerë të kësaj të fundit.

Gruaja ka thirrur për ndihmë pasi vetëm 1-vjeçari kishte mbetur brenda në banesën e mbuluar me tym e flakë.

Dionisi, ishte duke shkuar për në shtëpi kur dëgjoi thirrje për ndihmë dhe vrapoi për të parë se çfarë po ndodhte.

I riu shqiptar pa u menduar dy herë është futur brenda dhe e ka shpëtuar.

“Fëmija po qante dhe me një zë që dridhej më tha se foshnja ishte në shtëpi. Menjëherë hodha xhaketën dhe i dhashë një goditje të fortë dritares së dhomës. Hyra brenda dhe mora foshnjën që ishte i rrethuar nga flakët. Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Fatmirësisht fëmija shpëtoi dhe është mirë. Bëra atë që do të bënte çdo njeri nëse i rrezikohej jeta…”, ka deklaruar Dionis Abdiaj.

Më pas ka mbërritur zjarrfikësja që ka shuar zjarrin.


Shtuar 5.02.2023 10:53