Personi në foto është 50-vjeçari Preng Gjoni, i cili humbi jetën ditën e sotme, 11 maj, teksa punonte në kantierin e një pallati në zonën e Kunes në Shëngjin.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:30.
Si ndodhi ngjarja
Ai po punonte në kantierin e një pallati në zonën e Kunes në Shëngjin ku mori goditjen fatale në kokë nga një dërrasë që u shkëput nga objekti. Punëtori u transportua me makinë private në urgjencën e Spitalit të Lezhës pa shenja jete, ndërsa personat që e transportuan në spital u larguan duke humbur gjurmët.
Policia arriti brenda një kohe të shkurtër të gjejë vendin e ngjarjes, ku vendosi shiritin skenë krimi në objektin 3-katësh. Në kantier u gjetën dhe dy punëtorë të tjere që u shoqëruan për tu marrë në pyetje.
Nga të dhënat paraprake mësohet se viktima ishte i siguruar në kompaninë e ndërtimit “Kovaci Termo” në pronësi të Martin Kovaçit. Kjo kompani disponon lejen e ndërtimit, thanë burimet, por dyshohet se nuk zbatoheshin rregullat e sigurisë në punë.
Ky është aksidenti i dyti që ndodh në harkun kohor të dy ditëve Shëngjin.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, janë shoqëruar dy persona në lidhje me këtë ngjarje.
Rreth orës 13:30, gjatë punës në një objekt në ndërtim, shtetasit P. Gj., 50 vjeç, dyshohet se i ka rënë një dërrasë druri mbi kokë dhe për pasojë ai ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.
Ndërkohë janë shoqëruar në ambientet e Policisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dy shtetas që ishin duke punuar në objektin ku humbi jetën 50 vjeçari.’, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Mëngjesin e së enjtes 28-vjeçari Emiljano Frroku humbi jetën teksa po punonte në katin e nëntë të një pallati në Shëngjin. Viktima ra nga lartësia, pasi ju shkëput vinçi që po e montonte, ndërsa pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera rezultoi se 28 vjeçari punonte ne te zeze dhe dy katet e fundit te pallatit po bëheshin pa leje. Për ketë ngjarja policia shpalli në kërkim 3 persona dhe 1 tjetër po ndiqet penalisht në gjendje të lire.