Meteorologia Lajda Porja, gjatë një inteviste televizive, është shprehur se vapa do të nisë bashkë me qershorin.
Termometri sipas meteorologëve, parashikohet të shënojë vlera të ngjashme me muajin korrik dhe gusht, kjo për shkak të masave ajrore me origjinë nga Afrika që do të përfshijnë të gjithë Ballkanin.
Lajda Porja: “Nesër që futemi zyrtarisht në qershor presim temperatura 32 – 33 gradë celcius, e diela, e hëna 34 gradë, më pas dhe java tjetër le të themi do të sjellë temperatura shumë të larta, të paktën deri në datën 15. Starton sikur të jenë temperatura korriku apo gushti ku përgjatë kësaj vale mund të shënojmë dhe vlera 37 gradë në zona të izoluara. Është një masë ajrore nga Afrika e cila po fuqizohet, në fakt do të jetë në Europën Juglindore duke përfshirë dhe Ballkanin”.
Të pakta pritet te jenë ditët me temperatura normale për muajin. Pavarësisht se qielli nuk do të jetë përherë i kthjellët, meteorologët nuk parashikojnë reshje intensive.
“Vranësirat do të jenë prezente, në zonat lindore parashikohet të ketë grumbulim të vranësirave duke gjeneruar reshje të pakta dhe aspak problematike. Është parashikuar që qershori të jetë mjaft i nxehtë, edhe pse mund të kemi një normalizim të temperaturave pas valës, do kemi sërish valë të të nxehtit përgjatë gjithë qershorit”.
Pas mbylljes së një muaji relativisht të freskët si maji, menjëherë sipas meteorologëve nis një muaj i nxehtë si qershori.