“I mbron ish-shefi i komisariatit”, çfarë deklaronte 3 vite më parë Çajup Selimi nga spitali pasi u dhunua e kërcënua me jetë

Detaje të reja bëhen me dije nga vrasja e 45 vjeçarit mbrëmjen e djeshme në qytetin e Tepelenës.

Ashtu sikundër është raportuar edhe më herët, Çajup Selimi është dhunuar dhe kërcënuar me jetë edhe herë të tjera.

Tre vite më parë, në vitin 2018, Çajupi pasi u dhunua dhe u dërgua në spital për mjekim dëshmonte se dy persona i kishin kërkuar që të largohej nge vendi ku po qëndronte.

Ai më tej dëshmonte se pasi doli nga një dyqan dy persona e dhunuan me leva dhe nxorën thika duke e kërcënuar. Selimi rrëfente se ato i mbronte ish-shefi i komisariatit Tepelenë, dhe se është hera e 4 që po kërcënohet me jetë.

‘Më thanë mua pse rri përballë punës, unë jam biznesmen mos rri ti atje se duam ne! Vajta për të bërë ofertën sa dola nga dyqani, erdhën më qëlluan direkt para lokalit me qëlluan me leva më nxorën thika dhe më kërcënuan me jetë dhe i mbron ish-shefi i komisariatit Tepelenë. Nuk di se çfarë lidhje kanë, është hera e 4 që po kërcënohem me jetë dhe shteti nuk vë dorë mbi ta. Ne jemi shteti më thanë i mbron shteti.’- deklaronte Selimi.
Për ngjarjen në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, po nga Tepelena.


Shtuar 2.06.2021 16:15