I liruar nga burgu, Lika dhe bashkëshortja e tij ndodheshin në shtëpi gjatë shpërthimit, 2 vite më parë iu la mesazh kërcënimi me plumba

Një sasi tritoli ka shpërthyer rreth orës 03:20 të mëngjesit të sotëm në banesën e Skënder Likës në Sanxhak të Laçit.

Për shkak të shpërthimi të fuqishëm, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe po ashtu dëmtime ka edhe te banesat përreth. Mësohet se në momentin e shpërthimit, Lika së bashku me bashkëshorten ndodheshin në banesë.

Skëndër Lika është liruar nga burgu, pasi u arrestua së bashku me djalin më 11 dhjetor 2021 si autor i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Rakip Roli.

Policia pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes i ka larguar nga banesa. Në burg për vrasjen Rolit, ndodhet ende djali i Skënderit, Lleja Lika.

Kjo nuk është hera e parë që banesa e Likës vendoset në shënjestër.

Dy vite më parë, më 20 shkurt 2021, persona ende të paidentifikuar kishin vendosur në derën e banesës së Skënder Likës, 8 plumba.

Ishte Lika që i pikasi plumbat, ndërsa fill pas kësaj bëri denonconin në polici. Ndërkohë që vëllait të Skënderit, Myslim Likës iu bë atentat pak ditë para ngjarjes./Albeu.com.


Shtuar 10.03.2023 08:08