“I hoqa makinat zyrtarëve dhe kursyem 42 mln euro”, Berisha: Vetë kam qëndruar 8 vite në makinën e një ish-ministri socialist

 

Ish-kryeministri Sali Berisha nga një bashkëbisedim me qytetarët në Gjirokastër ka akuzuar qeverinë Rama për shpenzime të mëdha luksi, në një kohë tepër të vështirë për shqiptarët.

Berisha u shpreh se gjatë qeverisë së tij vendosi t’i heqë makina e zyrtarëve të shtetit duke kursyer plot 42 milion euro, ndërsa vetëm për 8 vite ka qëndruar në makinën e një ish-ministri socialist.

“Vetë kam qëndruar 8 vite në makinën e një ish-ministri socialist, dhe e lashë kur u largova”, u shpreh Berisha.

“U kujdesëm maksimalisht që qytetarët të ishin ata që përfitonin të parët nga taksat. Me një vendim qeverie unë hoqa veturat e zyrtarëve, dhe u kursye 42 milionë euro, jo ministrave që s’kisha si t’i hiqja se ashtu ishte. Kam qëndruar vetë në një veturë të një ish-ministri socialist, tetë vite dhe e kam lënë aty kur jam larguar. Ka patur korrupsion pa diskutim, por përpjekjet maskimale janë bërë që korrupsioni të luftohet”, deklaroi ish-kryeministri Berisha./albeu.com