Një shqiptar 60-vjeçar, i shtruar në një prej spitaleve të Athinës, në Greqi, për t’u trajtuar nga Covid-19, dyshohet se ka kryer një vrasje me dashje, duke i hequr prizën aparatit të frymëmarrjes së një shtetasi grek 77-vjeçar, gjithashtu i infektuar me koronavirus, që ndodhej në të njëjtën dhomë. E gjitha për shkak të zhurmës së ventilatorit.
Mediat greke kanë publikuar këtë krim të tmerrshëm për nga përmasat njerëzore, ndërsa “Protothema” ka siguruar edhe raportin paraprak të autoriteteve hetimore. Në raport shkruhet se alarmi i aparatit të frymëmarrjes është dhënë rreth orës 23:00 të datës 07.04.2021, në repartin 235, të klinikës patologjike të spitalit të Kryqit të Kuq, ku trajtoheshin pacientët me sëmundje të arterieve koronare.
Në dhomë ndodhej shtetasi grek, me inicialet S.E., 77 vjeç, i intubuar dhe shtetasi shqiptar me inicialet M.S., 60 vjeç, i cili nuk ishte i intubuar. Mjekët nuk arritën ta kthejnë në jetë 77-vjeçarin dhe në orën 00:12 vdekja e tij u konfirmua.
Aty u zbulua se priza e ventiluesit kishte dalë, tubi i frymëmarrjes kishte dalë nga baza dhe ekrani i ventiluesit ishte përmbysur. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore gjetën gjurmë gishtash të shqiptarit në pajisjen e ventilatorit. Momentalisht, shtetasi shqiptar nuk është arrestuar, pasi po trajtohet në spital, ndërsa mjekët thanë se në të kaluarën ka pasur çrregullime të shëndetit mendor.
Prej ditësh ai ankohej për zhurmën e aparatit të frymëmarrjes së shtetasit grek dhe donte ta linin vetëm në dhomë. Mjekët u thanë hetuesve se ditët e fundit gjendja shëndetësore e 77-vjeçarit grek ishte përmirësuar ndjeshëm dhe po bëhej gati që të dilte nga intubimi.