Personi që po shihni në foto, është Dritan Nano. Sipas grupit hetimor, Nano është organizatori dhe porositësi i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua tek zona e ish-Bllokut në Tiranë.
Mëngjesi prej ditës së djeshme kur u dhunua, vijon të jetë i intubuar pasi ndodhet në gjendje të rënë shëndetësore.
Autorë të sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija dhe Dorian Alia. Ky i fundit, u vetëdorëzua në polici ditën e djeshme.
Ai ka pranuar para hetuesve që ata e kishin planifikuar sulmin.
Alia ka deklaruar se e kishin ndjekur avokatin dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit, për pjesën e pagesave të kontratës për pronën.
Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Ngjarja ndodhi në ambientet e kopshtit nr.31 në zonën e ish Bllokut, ku Mëngjesi po çonte djalin e vogël, ditën e djeshme, 29 maj.