Të tjera detaje tronditëse dalin në dritë nga atentati mafioz ndaj 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u hodh në erë me tritol, teksa po lëvizte me makinë zonën e Saukit, pranë TEG-ut.
Gazetarja Klodiana Lala publikon në emisionin “Në Shënjestër”, në News24, dëshminë ekskluzive të negociatorit të borxhit, që “Peqja” nga Kuçova i kishte viktimës.
Për kthimin e borxhit po negocionte një tjetër person i njohur si Robert Gj., cili rrëfeu dy takimet me Aleksandrin, para se ai të ekzekutohej në mënyrë makabre.
Robert Gj:
“Me datë 9 qershor jam takuar me Aleksandrin jashtë një qendre tregtare. I kërkova të pinim kafe, por ai nuk pranoi. Na tha se s’kishte kohë se është në ditëlindje. I thashë që kam ardhur për problemin me Peqen dhe i kërkova zgjidhje, duke i thënë që Peqja ja kishte vonuar lekët, por kërkonte ta mbyllte si problem. I thashë që do ja dërgoja unë lekët. Aleksandri m’u përgjigj që s’do të kishin më konflikte. Të nesërmen e kam takuar bashkë me Gerin te lokali i tij në Astir. I kam dhënë 15.500 euro. Aleksandri më tha që Peqja i kishte borxh 19.500, por unë iu përgjigja se aq lekë më kishte dhënë. Aleksandri u kujtua dhe ramë dakord. U futëm në makinë dhe i thashë lekët. I kërkova t’i numëronte.”
Në lidhje me ngjarjen Prokuroria po heton në disa pista, të cilat janë vrasje për larje hesapesh që lidhen me trafikun e drogës, për shkak të njohjes së tij me pjesëtarin e një grupi kriminal që vepron në Holandë, ose hakmarrje për shkak të së kaluarës së tij, si i përfshirë në një ngjarje në Greqi. si dhe mosmarrëveshje për pasurinë.
Hetuesit kanë dyshime se Aleksandër Sadikaj nuk ishte një objektiv i lehtë për t’u ekzekutuar, për nga mënyra sesi vepruan ekzekutorët, por edhe sepse ruhej, ndonëse njerëzit pranë tij nuk e pranuan. Kjo sepse në banesë iu gjetën antiplumb e dylbi. Ndërsa në vendin e ngjarjes u zbulua një pistoletë.
Ekzekutorët mendohet të kenë pasur përgatitje ushtarake, ndërsa ende nuk është zbuluar vendi se ku i është vendosur lënda eksplozive.
Hetimet për ekzekutimin mafioz vazhdojnë, policia shqiptare, sipas deklarimit të ministrit të Brendshëm Bledi Cuci do të kërkojë dhe ndihmën e partnerëve të huaj./bw