Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të premten se ishte ndarë nga partneri i saj Andrea Giambruno, i cili punon si gazetar televiziv, e që javët e fundit është kritikuar për komente seksiste.
Muajin e kaluar zonja Meloni u tha gazetarëve se ajo nuk duhet të gjykohet për komentet e partnerit të saj dhe në të ardhmen nuk kishte ndërmend t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me sjelljen e tij.
Ndarja vjen ndërsa kryeministrja 46-vjeçare feston vitin e saj të parë në detyrë, në krye të një qeverie koalicioni të krahut të djathtë, që mbrotjen e familjes tradicionale, e ka një nga shenjat dalluese të politikës së saj.
Së fundmi një portal i drejtuar nga personazhi i njohur i skupeve Fabrizio Corona ka shkruar se Meloni ka pasur një lidhje sekrete dashurie.
“Po sikur zemra e Giorgia Melonit të ishte e zënë tashmë? Një emër vjen nga Siçilia. Meloni ka disa kohë që është në një lidhje me Manlio Messina”, shkruan portali i ish-mbretit të paparacëve.
Por Manlio Messina, deputet i Fratelli d’Italia, mohoi lajmin. “Nga faqja e tij e internetit mësoj për një lidhje të supozuar timen me Giorgia Meloni, e cila sot njoftoi ndarjen nga partneri i saj Andrea Giambruno. E telefonova drejtpërdrejt vetë Corona-n, pasi e njoha prej shumë vitesh, dhe ai konfirmoi se lajmi është i rremë, por se i shërben vetëm për të rritur klikimet faqes së tij të re. Ky është Fabrizio Corona”, tha ai.