I dha dokumente false tajlandezes për ta trafikuar për prostitucion, arrestohet suedezi në Rinas

Një shtetas suedez është arrestuar në Rinas, pasi i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “False”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Rinas.

Vihet në pranga një 42-vjeçar (shtetas suedez) që ndihmoi një shtetase tajlandeze, që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i siguruar asaj, dokumente identifikimi të falsifikuara.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari do ta trafikonte këtë shtetase, në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Sekuestrohen mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, që dyshohet se 42-vjeçari ia jepte shtetasve të ndryshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonin dy shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. O., 42 vjeç, banues në Suedi.

42-vjeçari i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 29.09.2023 12:35