I dënuar për dosjen “Toyota Auris”, shkarkohet nga detyra ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka shkarkuar nga detyra ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili është dënuar për dosjen e “Toyota Auris”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë Zarkën një muaj para se të arrestohej, pas një seance dëgjimore të shkurtër në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cenonin atë.

Por pas arrestimit, vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke u ngritur shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit.

Ndërsa edhe Kreu i SPAK Klodian Braho u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi në përfundim shkarkimin e Zarkës për cënim të besimit të publikut.

Kujtojmë se ish-kryeprokurori i Vlorës ra në pranga në korrik të vitit 2024. Ai akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit Astrit Vladi, Eriona Dautaj dhe Radovan Çela ka pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, si dhe ka kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën.

Bëhet fjalë për tetë episode dhe akuza, për të cilat dyshohet se Zarka ka ushtruar ndikim të paligjshëm te kolegët e prokurorive të tjera, si dhe në organin e akuzës që drejtonte vet.

Një ndër rastet kryesore për të cilën ai akuzohet bashkë me tre shtetasit e tjerë, është ndikimi për të mbyllur dosjen e bujshme “Toyota Yaris”, ku brenda dy makinave të importuara nga Belgjika u gjetën 3.4 milionë euro të dyshuara të përfituara nga trafiku i drogës.


Shtuar 5.03.2026 19:04