I dënuar nga drejtësia belge dhe në kërkim nga ajo shqiptare, lista e “bëmave” të Ramazan Rrajës që u arrestua sonte

I dënuar nga drejtësia belge dhe në kërkim nga ajo shqiptare, lista e “bëmave” të Ramazan Rrajës që u arrestua sonte

Nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, ra në pranga mbrëmjën e sotme, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia për përfshirje në disa vepra penale.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, Ramazan Rraja u arrestua rreth orës 19:45, teksa po konsumtonte iftar në një lokal pranë Urës së Gjoles.

Ndër të tjera, Hoxha bën me dije se Rraja nuk ka bërë rezistencë.

Kujtojmë që në shkurt të këtij viti Ramazan Rraja u dënua me burg nga drejtësia belge pasi cilësohej si një nga kokat e një organizate droge shqiptaro-letoneze që tregtonte miliona euro kokainë, duke përfshirë aktivitetin edhe portet e Antëerpen dhe Vlissingen.

Gjykata e dënoi nipin e deputetit të PS me 12 vjet burg, tre më shumë nga ç’kishte kërkuar prokuroria.

Gjatë hetimeve, Ramazan Rraja ishte dëgjuar duke folur kreun e grupit kriminal, Kaspars N, për një kontejner që ndodhej në kalatën 1742, me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana, por pa rezultat.

Gjatë një kontrolli të ri, doganierët gjetën 57 kilogramësh kokainë.

Një kapje prej 50 kilogramësh në Vlissingen në Holandë dhe një nga 80 kilogramë në Civitaveçhia italiane pranë Romës ishin gjithashtu të lidhura me grupin.

Herë pas here, droga dërgohej nga Ekuadori, zona e preferuar e punës së kriminelëve shqiptarë të drogës, bënë me dije ateherë mediat belge.

Veçse i dënuar nga drejtësia në Belgjikë, Rraja ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare qysh prej datës 17 janar 2023, pasi GJKKO e ka pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj tij.

Sipas SPAK, Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut”.

Emri i Rrajës lidhet me një tjetër ngjarje të rëndë, për të cilën gjithashtu ishte shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për atentatin e datës 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Në atë kohë, Ramazan Rraja ndodhej jashtë vendit.

Ai u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e “Flay Dubai” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai deklaroi në polici në lidhje me masakrën me tre të vrarë dhe më pas u la i lirë.

Ndërkohë, më 15 nëntor ai u shoqërua sërish në policinë e Tiranës bashkë me 3 persona të tjerë dhe u morën në pyetje në lidhje me trajektoren e lëvizjes së tyre, dhe pronësinë e tre automjeteve të blinduara.

Ramazan Rraja konsiderohet edhe si mik i Plaurent Dervishajt, prej vitesh rezident në Dubai, e megjithatë në kërkim nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt të 2005.

/albeu.com