I dënuar në Greqi, KQZ konfirmon në detyrë kryebashkiakun e Mallakastrës

KQZ vendosi mos ndërpresë mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj i cili rezulton i dënuar në Greqi.

Sipas Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi, Ismailaj nuk është në kushtet e ndalimit, ndaj do vazhdojë të qëndrojë si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.

“Vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria.  Ata na kanë thënë se vepra për të cilin ai është dënuar në Greqi, dënohet maksimalisht me gjobë në Shqipëri”, tha ai.

Për çfarë akuzohet

Kryetari i Bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj ka rezultuar me probleme në ligjin e Dekriminalizimit. Mësohet se Ismailaj është dënuar në Greqi me 3 vite burg. Prokuroria nisi hetimet pas akuzave të PD.

Qerim Ismailaj në formularin e dekriminalizimit ka deklaruar se nuk ka qenë i dënuar, por pas verifikimeve të Prokurorisë rezultoi se ai ka gënjyer. Ai është dënuar në Greqi për përleshje e dëmtime personash me dashje.


Shtuar 2.07.2021 12:04