I dënuar me mbi 3 vite burg, arrestohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim (EMRI)

Policia e Tiranës ka arrestuar një 39-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Remove” në Mjull Bathore, u kap dhe u vu në pranga shtetasi në kërkim Ardian Shkalla, 39 vjeç, banues në Tiranë, informon policia.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vitin 2021, 39-vjeçari, sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka hedhur nga dritarja e automjetit, një qese me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila është sekuestruar nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.  /albeu.com


Shtuar 7.11.2023 10:23