I dënuar me 25 vite burg në Itali, arrestohet në Laprakë Ilir Paja, njihet me nofkën “Ufo” (VIDEO)

Njësia Fast Albania ka arrestuar mbrëmjen e sotme në zonën e Laprakës, Ilir Pajën, i njohur me nofkën Ufo. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ki është dënuar me 25 vite burg.

Ai njihet me nofkën “Ufo” nga drejtësia italiane pasi është arratisur dy herë në mënyrë spektakolare nga burgu.

Në vitin 2017, Paja është liruar nga burg i Krujës pasi vuante një dënim për plagosjen e një punonjësi të policisë në vitin 2008, Bledi Haxhimali.

Njoftimi:

Fast Albania

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dangerous” për kapjen e një personi shumë të kërkuar për krime kundër personit.

Operacioni nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Kapet e vihet në pranga 49-vjeçari nga Tirana, i shumëkërkuar në Itali për vrasje të punonjësve të Policisë.

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dangerous”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Ilir Paja, 49 vjec, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradmin e 49-vjeçarit drejt Italisë./albeu.com

Shtuar 3.11.2022 21:56