I biri doli pronar që 5-vjeç, KPK merr vendimin për prokuroren Rita Gjati

Është shkarkuar nga detyra prokurorja e Kukësit Rita Gjati. Vendimi është dhe paraditen e sotme në ambientet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mes polemikave, që nisën që në seancën dëgjimore, ku avokati i prokurores braktisi seancë, ndërkohë që vetë Gjati shpërtheu në lot në seancë.

Gjatit iu gjetën probleme të pasurisë, kontakte të papërshtatshme dhe cilësi të papranueshme profesionale.

Më herët drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Rita Gjati kishte kallëzuar në Prokurori kryetaren e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, Genta Bungo, dhe dy anëtarët e tjerë të institucionit, Alma Faskaj e Lulëzim Hamitaj.

Kryeprokurorja e Kukësiti akuzonte anëtarët e KPK për shpërdorim detyre, pasi sipas saj KPK se nuk kishte shqyrtuar të gjitha provat e dërguara prej saj për procesin e rivlerësimit, kjo për shkak se materialet nuk i kishte dërguar në rrugë postare por elektronike.

Prokurorja e komanduar, gjithashtu pretendonte se njëri nga anëtarët nuk ka qenë në Shqipëri në momentin kur është refuzuar kërkesa e saj për marrjen në konsideratë të dokumenteve shtesë, duke shtuar se ka siguruar edhe një fotokopje të sistemit TIMS, marrë në datën 5 mars.

Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokurore në Sarandë, por në vitin 2008 ajo u shkarkua nga Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama pas një inspektimi të kryer.

Problemet e pasurisë

Pasi mori më në fund fjalën në një sallë tashmë të zbrazur relatorja Genta Tafa (Bungo), tha se Gjati, që kishte filluar punë në fillim të viteve 2000 ishte hetuar në të tre kriteret.

Relatorja lexoi fillimisht një raport të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili kishte gjetur pasaktësi në deklarimet e Gjatit dhe po ashtu mungesë dokumentacioni.

Nga hetimi KPK tha se një apartament në Sarandë i blerë në kohën kur Gjati kishte punuar dhe jetuar në atë qytet ishte deklaruar si i financuar nga shitja e një trualli po në atë qytet të përfituar me vendim të Këshillit Bashkiak, dy kredi dhe të ardhurat nga paga. Apartamenti ishte ndërtuar në një pallat që ishte investim i një grupi punonjësish të Ujësjellësit të Delvinës.

KPK vuri në dukje si të dyshimtë faktin se bashkëshorti i Gjatit kishte përfituar 511 metra truall me vendim të Këshillit Bashkiak për shumën 245 mijë lekë dhe e kishte shitur 4 ditë pas blerjes për shumë 1 milion lekë. KPK tha se për këtë nuk ishin paguar tatimet.

Relatorja tha se kjo shumë nuk ishte njohur si burim i ligjshëm, po ashtu nuk ishin njohur as dy kreditë që shkonin 1 milion lekë, sepse ishin marrë pas vitit 2002 kur ishte deklaruar investimi.

Komisioni tha se pronësia në garazhin 98 metra, i pa ndarë nga pjesa tjetër nuk ishte deklaruar asnjëherë. Pretendimeve të Gjatit se në garazh nuk kishte investuar, KPK i vuri përballë deklarimet e të shoqit në padinë civile ndaj administratorit, në të cilën ai citohet të përmendë edhe investimin në garazh.

Analiza financiare sipas KPK për këtë apartament e nxori Gjatin me mungesë të burimeve të ligjshme për 4.4 milion lekë.

KPK në vijim tha se gjeti një sërë problemesh në deklarimet vjetore të Gjatit dhe disa mosdeklarime. Relatorja tha se një hua nga vëllai i burrit, Gjati e kishte deklaruar si të shpenzuar për probleme shëndeti për KPK, por e kishte deklaruar më herë si të përdorur për mobilim e riparim shtëpie. KPK tha se dukej se Gjati kishte bërë deklarim të rremë para Komisionit.

Ngjashëm KPK rrëzoi disa burime financiare të Gjatit, duke referuar se ato nuk ishin përdorur siç ishin deklaruar pas verifikimeve në banka dhe një bilanc negativ 6.7 milion lekë.

Borxhi ndaj të dënuarit për trafik

Ndërkohë një apartament i blerë nga djali i prokurores në Tiranë në vitin 2015, duket se solli probleme në dy kriteret për prokuroren. KPK tha se Gjati kishte marrë dy kredi konsumatore për mobilim të apartamentit ku jetonte, por më pas i kishte deklaruar ato si burim për pagesën e një kësti të apartamentit të djalit.

Në përshkrimin e relatores rezultoi se ishte marrë në dorëzim një akt noterial në emër të djalit të prokurores, i cili supozohej se kishte firmosur me ndërtuesin Sh.K  një kontratë për një apartament 6 milion lekë. Sipas kontratës noteriale 2 milion lekë ishin paguar në dorë me nënshkrimin e kontratës, pjesa tjetër do të paguhej më vonë. Po ashtu këtu përmendej edhe fakti se pagesa do të kryhej me shitjen e 550 metrave truall që djali i subjektit posedonte në Sarandë.

Komisioni tha se nga hetimi kishte rezultuar që djali i Gjatit nuk kishte qenë në Shqipëri kur kishte nënshkruar deklaratën noteriale që ishte paraqitur si provë për këtë pasuri në ILDKPKI. Gjatit i kaloi barrë prove për këtë kontratë që nuk përputhej me të dhënat e administruara më pas.

Gjati më vonë pranoi në deklarime për KPK se paratë ishin paguar nga ajo dhe bashkëshorti i cili kishte prokurë për të vepruar në emër të djalit. Po ashtu u përmend edhe një kontratë premtim shitje për truallin në Sarandë për 5 milion lekë që do merreshin në këste. Trualli, u tha se nuk ishte regjistruar në emër të djalit të subjektit më Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, por se ai e posedonte që në moshën 5-vjeçare me vendim të Këshillit Bashkiak të Sarandës.

Relatorja tha se ky fakt ishte i dyshimtë dhe se kjo pasuri nuk ishte deklaruar në asnjë prej deklaratave të subjektit, duke ngritur dyshime për pasuri të fshehur.

Nga hetimi mbi këtë apartament në Tiranë rezultuan edhe kontaktet me Sh.K, i cili është dënuar në vitin 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, si anëtarë në grup të strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh.

Sipas KPK, Gjati kishte pranuar se kontaktet me Sh.K, i kishte mbajtur ajo dhe bashkëshorti dhe jo djali. Dukë lënë të kuptohej po ashtu se ajo dhe bashkëshorti kishin paguar 2 milion lekë të këstit të parë për apartamentin dhe i detyroheshin Sh.K edhe 4 milion lekë të tjera, për pagesën e të cilave nuk ishte përcaktuar ndonjë afat kohorë.

Kontakti i fundit sipas KPK rezultonte në mars të vitit 2015. Komisioni tha se Gjati kishte qenë në dijeni para se të dorëzonte në janar 2017 deklaratën e pastërtisë së figurës se Sh.K, që ishte arrestuar në korrik 2016 për akuzën e trafikut të narkotikëve dhe grupit kriminal, ishte në procedim penal. Komisioni tha se e vlerësoi mosdeklarimin e kontaktit dhe detyrimit prej 4 milion lekësh ndaj këtij personi si plotësim jo të saktë të formularit të pastërtisë së figurës.

Ndërkohë DSIK pasi kishte dërguar fillimisht një raport pozitiv e kishte ndryshuar raportin me një të dytë sipas të cilit Gjati dyshohej për mitmarrje në disa raste dhe në vite të ndryshme. KPK tha se gjatit i ishte kaluar barrë prove mbi këtë raport dhe se shpjegimet e saj do merreshin në konsideratë.

Problemet e profesionalizmit

Sipas KPK Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si prokurore në Sarandë. Nga relatimi doli se ndaj saj ishin marrë disa herë masa disiplinore. Në vitin 2004 për shkak të problemeve të gjetura ajo ishte ulur në detyrën e Oficeres së Policisë Gjyqësore për 6 muaj. Në vitin 2006 ndaj saj ishte marrë masë vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra.

Në vitin 2008 ajo është shkarkuar nga Presidenti i Republikës me kërkesë të Prokurores së Përgjithshme të kohës, Ina Rama pasi një inspektim gjeti një sërë shkeljesh.

Dekreti i presidentit u kundërshtua në gjykatë si i paligjshëm. Gjykata e Apelit të Tiranës i dha të drejtë Gjatit dhe i njohur edhe një dëmshpërblim. Ajo u rikthye në detyrë në vitin 2013 dhe në vitin 2014 u emërua në Prokurorinë e Kukësit, ku vazhdon të kryejë detyrën.

KPK tha se Prokuroria e Përgjithshme, e cila kishte bërë një raport vlerësimit  të 3 dokumenteve të zgjedhura nga Gjati dhe pesë dokumenteve të marra me short, kishte gjetur një sërë problemesh. Sipas relatores në dokumentet që vetë Gjati kishte dorëzuar, ishte gjetur nga Prokuroria e Përgjithshme “konfodim i termit burim prove”.

Probleme të ngjashme u gjetën edhe në dosje të tjera, përfshi referim në akuzë të ndryshme në fillim të kërkesave për gjykim dhe akuzë të ndryshme në konkluzionet në të njëjtat kërkesa.

Në një prej dosjeve të shortuara u gjet se Gjati kishte vijuar në vitin 2015 për 24 ditë hetimet ndaj një gruaje të akuzuar për “Mashtrim me sigurimet” edhe pse kishte pasur në dorë certifikatë të vdekjes së saj në vitin 2011. Po ashtu edhe pse duhej ta kishte pushuar çështjen pasi e hetuara kishte vdekur, Gjati kishte kryer veprime hetimore dhe pushimin e kishte arsyetuar me “parashkrim të veprës penale”.

Gjatit i kaloi barrë prove për tre ankesa për zvarritje dhe hetime të paplota. Po ashtu asaj i kaloi barrë prove mbi tre kallëzime në Prokurorinë e Lezhës. Një kallëzues që kishte dy çështje penale ndaj Gjatit, pretendon se ajo e kishte kërcënuar në telefon. Tafa tha se e pyetur nga KPK Gjati kishte pretenduar se denoncuesi ishte ai që e kishte telefonuar, por KPK-së i kishte rezultuar se ishte ajo telefonuesja.

KPK vuri në dukje se në vitin 2018 Gjati kishte kërkuar në gjykatë zbutje të masës së sigurisë, nga arrest në burg në arrest në shtëpi, ndaj një personi të dënuar në Rijeka të Kroacisë, për plagosje dhe disa vepra të tjera penale.  Sipas KPK vetë Gjati në seancën e datës 12 nëntor 2018, kishte paraqitur deklaratën e një pronareje hoteli e cila pranonte të strehonte të arrestuarin për qëllim ekstradimi në hotelin e saj.  Personi në fjalë ishte arratisur në janar 2019. KPK tha se nuk kishte as rrethana dhe as provë pse masa e sigurisë duhej të ishte ndryshuar.

Shtuar 19.03.2021 10:03

Tags: ,