I arrestuar për dhunë në familje, i burgosuri ndërroi jetë në spital, flasin fqinjët: Së fundmi degradoi, vuri dorë ndaj 2 motrave

Një 68-vjeçar nga Durrësi ka humbur jetën sot në orët e para të mëngjesit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ishte i shtruar në reanimacion.

Hajri Robi, i arrestuar më 12 mars për dhunë ndaj njërës prej motrave të tij, u nda nga jeta pas një arresti kardio-respirator dhe komplikacioneve shëndetësore.

Të lidhura

None found

Burime pranë familjes tregojnë se prej vitesh ai vuante nga probleme të shëndetit mendor. 12 vite më parë kishte tentuar edhe vetëdjegie në qendër të qytetit, ndërsa fqinjët e përshkruajnë si njeri të respektuar në lagje, por me vështirësi të theksuara që e rënduan marrëdhëniet brenda familjes.

“Janë familje shumë e mirë. Njerëz shumë të urtë e pozitivë. Motrat janë kujdesur gjithë jetën për të, po ai ka qenë me probleme mendore. Është trajtuar, po kohët e fundit degradoi shumë. Arriti dhe vuri dorë mbi të dyja motrat. Njërën motër e ka të sëmurë. Të dyja janë kujdesur në maksimum.

Me të tjerët në lagje nuk kishte probleme, gëzonte respekt. I kishte problemet vetëm me veten, po tani në fund edhe me familjarët. Ai tani i mbylli të gjitha. Na vjen keq.”-shprehen fqinjët për mediat.

Motrat e tij, të cilat e kishin kujdesur për vite, u përballën me dhunë nga ana e tij, duke e çuar çështjen deri në arrestim. Pas vendimit të gjykatës për mjekim të detyruar, ai u transferua fillimisht në burgun e Lezhës, më pas në spitalin e burgjeve, por gjendja e tij u përkeqësua dhe përfundoi në QSUT, ku nuk arriti të mbijetonte.


Shtuar 5.04.2026 22:06