Prej më shumë se 1 ore, Ilir Beqaj ndodhet në GJKKO ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tij për njohjen e masës së sigurisë.
Ish-ministri, i cili akuzohet se ka vjedhur fondet e BE-së gjatë kohës që ishte në krye të SASPAC, ka dalë para togave të zeza së bashku me 5 të akuzuarit e tjerë.
Por Ilir Beqaj ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për abuzim me fondet gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit në GJKKO.
KËRKESAT E SPAK
Siç bëhet me dije, vetëm dy javë kohë i është dashur Gjykatës së Posaçme për të marrë vendimin për caktimin e masave të sigurisë në lidhje me dosjen “SASPAC”.
Ka qenë vendimi i gjyqtares Rudina Palloi, ku bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme e ka dërguar kërkesën në GJKKO me 21 qershor 2024 ndërsa vendimi është dhënë në 3 korrik 2024.
Prokurorja e çështjes është Elida Kackini, e cila i është drejtuar kësaj për të vendosur në total 8 masa sigurimi personal, por nga gjyqtarja janë pranuar vetëm 7 të duke rrëzuar kërkesën për caktimin e masës për shtetasen Marinela Jazoj.
Prokurorja Kackini kishte kërkuar “arrest me burg” për Ilir Beqaj, Ermal Kurtulajn, Alfred Nikollën, Gazmend Haxhiun dhe Elton Marinin, ndërsa gjyqtarja Palloj pranoi vetëm për 3 të parët dhe për Haxhiun dhe Marinin vendosi masën “arrest shtëpie”. SPAK kishte kërkuar “arrest në shtëpi” për Bledar Lekën, Marinela Jazoj dhe Jona Zijaj.
I vetmi që ka katër akuza është ish ministri Ilir Beqja ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit dhe pabarazisë në tendera.
Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.
Por gjyqtarja e hetimit paraprak Rudina Palloi pranoi pjesërisht kërkesën e SPAK dhe caktoi vetëm 3 masa “arrest në burg”, 2 të tjerë i la në masën “arrest në shtëpi” dhe dy në masë më lehtësuese “detyrim paraqitje”.
TË HETUARIT
Për shtetasen Marinela Jazoj, për të cilën SPAK thotë se dyshohet se ka kryer veprën “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë publikë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, GJKKO vendosi të mos pranojë kërkesën e prokurores për të caktuar masë ndaj saj.
Kjo e fundit sipas dosjes është drejtore ekzekutive në shoqatën e Investitorëve të Huaj “FIAA” dhe sipas SPAK se në dy raste kjo shoqatë ka blerë shërbime tek restoranti “Gzona” për organizimin e eventeve.
Në të paktën një rast, është kryer pagesë nga shoqata “FIAA”, me drejtore Marinela Jazoj, te shtetasja nën hetim M.T., e cila ushtronte detyrën pranë SASPAC, si nëpunëse finance në projektet e monitoruara SASPAC dhe njëherësh rezulton se ka kryer veprime për hartimin e dokumenteve për efekt të plotësimit të dokumentacionit të tenderave, shumë pas në kohë, se sa procedurat duhet të ishin realizuar faktikisht.
Këtë të premte, Ilir Beqaj dhe 5 personat nën masë sigurie dolën para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë, por seanca u shty për sot në orën 12.30 pasi avokatët e tyre kërkuan kohë të njihen me fashikullin hetimor.
Ndërkohë që masa “arrest shtëpie” ndaj Gazmend Haxhiajt nuk është ekzekutuar, pasi ndodhet jashtë vendit
KORRUPSIONI NË BASHKËPUNIM
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesi i Agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj, u arrestua me urdhër të SPAK lidhur me abuzimin me fondet e BE gjatë kohës kur drejtonte SASPAC, ndërsa ai hetohej lidhur me aferën 100 mln euro të koncesionit të sterilizimit.
Ilir Beqaj është tashmë një nga shumë ministrat e qeverive “Rama”, të cilët do të duhet të përballen me drejtësinë. Dhe të provojë se akuzat e ngritura ndaj tij, nuk qëndrojnë.
Ndërsa pritej të ndalohej për aferën 100 milion euro të koncesionit të sterilizimit, në fakt Beqaj i njohur për shprehjen e tij ‘suksese në jetë’, u ndalua mëngjesin e të mërkurës së datës 4 korrik, për një tjetër aferë të dyshuar korruptive.
Atë të abuzimit me fondet e Bashkimit Evropian, gjatë kohës kur ai drejtonte SASPAC (Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Një nga rastet më të habitshme se si një ministër, i cili ndërkohë që ishte në hetim për një tjetër aferë korruptive ndaj tij, pikërisht gjatë hetimit ndaj tij nga SPAK, përfshihet nëse dyshimi i Prokurorisë së Posaçme është i vërtetë, në një tjetër skandal korruptiv.
Ku bashkë me të tashmë janë të ndaluar edhe 5 persona të tjerë, pjesë e onturazhit të tij. Edhe këta të dyshuar si pjesë e skemës ku paratë e BE-së në ndihmë të zhvillimit të bizneseve të vogla, i shpërdoronin duke i fshehur në biznese private kryesisht në fushën e kulinarisë.
Apo duke krijuar fatura fiktive, për dreka dhe darka të pakonsumuara në këto restorante, ku shpesh të ftuar ishin edhe delegacione të huaja, ndër to edhe të Bashkimit Evropian në Tiranë.
DOSJA HETIMORE
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se shtetasi Ilir Beqaj në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtula i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës ‘Facility Point’ për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.
Por çfarë janë këto procedura fiktive të cilat janë zbuluar nga SPAK, dhe si fshihej korrupsioni përmes këtyre marifeteve, ku si koperturë e Beqaj thuhet të ketë shërbyer njeriu i tij Ermal Kurtula, të cilin e merrte me vete në çdo dikaster që shkonte.
A është kaq e thjeshtë që nëpërmjet këtyre procedurave të grabiten paratë e taksapaguesve, qoftë edhe ata evropianë si në rastin konkret. Dhe pse janë ndjerë kaq të sigurt Beqaj dhe të tijtë në zhvillimin e kësaj afere, që nuk do të zbulohen?
EPISODET
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: ‘Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri’, si dhe ‘Konferenca e Energjitikës’, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Në hetimin e tij SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, kanë mundur të zbulojnë se urdhërues i këtyre procedurave fiktive që më pas përfunduan në gllabërimin apo tjetërsimin e fondeve të BEsë, ishte Ilir Beqaj, në këtë kohë në krye të zyrës së SASPAC, që merrej pikërisht me menaxhimin e këtyre fondeve.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkurruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që iu janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.