“Hunjtë i gjeta në rrugë”, çfarë dëshmuan të ndaluarit për përplasjen te selia e PD

Prokuroria dha sot pretencën duke kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për katër prej të ndaluarve më datë 8 janar në selinë e PD-së, ndërsa për 30 të tjerë u kërkua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Vendimi pritet të jepet nesër, ndërkohë që abcnews.al ka arritur të sigurojë dosjen e prokurorisë, ku janë dëshmitë e dhëna prej të ndaluarve në lidhje me çfarë ndodhi mesditën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.

Njëri prej të ndaluarve, i riu nga Durrësi, Gentian Lamnicaj është shprehur se nuk ka bërë asgjë të kundraligjshme në selinë e PD-së.

“Unë vetëm kam duartrokitur kur u hap dera dhe u futa brenda të mbrohesha se nga sipër binin xhama”, është shprehur ai.

Agron Gjura, anëtar i PD-së është shprehur se ishte duke shkuar në shtëpi dhe u ndalua nga policia. Ndërkohë, blutë e Tiranës e kanë fiksuar atë duke kryer veprime ndaj forcave të rendit.

Tepër interesante është dëshmia e Hajredin Gjurajt, i cili i ka arsyetuar një një mënyrë tepër origjinale hunjtë që policia i kapi në duar kur e ndaluan.

“Kisha nevojë të bëja ca rregullime në shtëpi. I gjeta në rrugë bishtat e kazmës dhe i mora sepse më dueshin t’i përdorja. Ishte policia që ushtroi dhunë ndaj nesh dhe jo ne ndaj saj”, është shprehur ai.

Denis Luku shprehet se nuk ka ushtruar dhunë ndaj policisë dhe se në pamjet e fiksuar prej forcave të rendit nuk ishte ai.

“Levën e gjeta aty në seli. Dera ishte e mbyllur dhe unë e përdora levën për të hapur derën e partisë sime”, shprehet ai

Denis, Valdrin Dervishaj dhe Oerges Dervishaj shprehen se nuk kanë qenë fare në protestë, por në një qendër tregtare aty pranë ku edhe janë ndaluar nga policia.

Mes të ndaluarve janë edhe persona të dyshuar se ishin brenda godinës së PD-së dhe gjatë tre orëve të përplasjes kanë hedhur sende të forta nga sipër ndaj mbështetësve të Bashës.

Raporti i policisë thekson se i ndaluari tjetër Duleman Marku ka kryer veprime të dhunshme ndaj tyre, ndërsa ky i fundit shprehet se nuk do të japë asnjë sqarim ndaj prokurorëve.

Policia dyshon se Armando Dervishi , Ardian Myrto dhe Oltian Zenelaj kanë qenë brenda godinës dhe kanë goditur me bidona plastikë në drejtim të turmës.

Të dyshuar si persona që kanë goditur në drejtim të mbështetësve të Berishës nga brenda selisë së PD-së janë edhe Ylli Gosturani, vëllai i truprojës së kryedemokratit Lulzim Basha; Selman Krasniqi dhe Xhevahir Xhorxhev/abcnews.al


Shtuar 11.01.2022 17:22