Humbja e tretë radhazi e Juventusit, Tudor: Është një kohë e vështirë, të gjithë janë përgjegjës

Humbja e tretë radhazi mes kampionatit dhe Champions League, e ka zhytur Juventusin në një situatë të vështirë, ku fjala “krizë” nuk është më tabu.

Pas dështimeve me Komon dhe Real Madrid, bardhezinjtë u ndalën sërish, këtë herë në “Olimpiko” kundër Lacios, në një ndeshje që rikonfirmoi të gjitha problemet e momentit. Igor Tudor, në fund të takimit, nuk e fshehu shqetësimin, por kërkoi bashkim dhe reagim të menjëhershëm.

“Është një moment i keq, shumë i vështirë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë më shumë të gjithë së bashku”, tha kroati pas ndeshjes, duke pranuar se zhgënjimi është i madh.

Sipas tij, ndeshja ishte përgatitur si duhet, por episodi i gabuar në fillim prishi gjithçka.

“Kostiç po bënre nxehmjen, sepse pashë që Kambiaso hyri keq në ndeshje. Përndryshe, skuadra hyri mirë, përveç gabimit që bëri Devjid dhe golit që pësuam”.

Problemi më i madh i Juventusit tashmë është i dukshëm: skuadra nuk shënon. Bardhezinjtë janë pa gol prej katër ndeshjesh, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme në sulm dhe eksperimenteve taktike.

“Ne shkuam shpesh në zonë, por duhet ta fusim topin brenda. Në mbrojtje nuk duhet të gabojmë asgjë, por gabojmë gjithmonë. Kështu humben ndeshjet”, shtoi Tudor, i cili e pranoi qartë se mungon balanca mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Trajneri nuk kërkoi fajtorë individualë, por theksoi përgjegjësinë kolektive.

“Të gjithë janë përgjegjës. Për të shënuar duhet të shkojmë përpara me katër sulmues, por kur mbrohesh duhet të punosh me dhjetë mesfushorë. Nëse dikush gabon dhe përpara nuk shënon, është problem”.

Sa i përket të ardhmes së tij në stol, kroati u tregua i drejtpërdrejtë: “A ndjehem i sigurt? Nuk mendoj për veten time. Nuk më intereson e ardhmja ime personale. Dua të mbetem i kthjellët përballë problemeve”.

Tudor pati edhe një vërejtje të hapur për Kambiason, i cili u zëvendësua herët: “E pashë në vështirësi ndaj Isaksen, nuk më pëlqeu se si po e interpretonte ndeshjen”.

Juventusi luan sërish pas dy ditësh dhe trajneri shpreson se një fitore mund ta kthejë atmosferën. Por për momentin, kriza është e dukshme dhe alarmi është aktivizuar.


Shtuar 27.10.2025 12:23