Familjarët e Flori Topalli, 24-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në një aksident tragjik në Itali, kanë bërë apel për ndihmë për të transportuar trupin e tij drejt Shqipërisë për ceremoninë mortore.
Sipas mediave të huaja, motra e tij, Kesmentina Topalli, ka filluar një fushatë për mbledhje fondesh në GoFundMe për të sjellë trupin e tij në Shqipëri.
“Me hidhërim të thellë në zemrat tona dhe pamundësinë financiare për ta sjellë trupin e vëllait tonë të dashur në familjen e tij ju drejtohemi për ndihmë, në mënyrë që Flori të mund të prehet pranë shtëpisë dhe popullit të tij. Çdo kontribut është një mbështetje e madhe për familjen tonë në këtë kohë të vështirë”,- shkruan ajo.
Aksidenti ndodhi më 1 mars në orët e para të mëngjesit në autostradën Naro–Camastra në Siçili, kur makina ku udhëtonte Topalli u përplas me një kamion të ngarkuar me fruta-perime.
Shoferi i makinës, 39-vjeçar, ndodhet në gjendje kritike dhe u transferua për trajtim më të specializuar nga spitali “Barone Lombardo” në Canicattì drejt Villa Sofia Hospital në Palermo.
Gjashtë të plagosurit e tjerë, të moshës nga 24 deri në 39-vjeç dhe gjithashtu shqiptarë, po marrin trajtim në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ata kishin mbërritur së fundmi në Itali për të punuar në bujqësinë sezonale.
Rruga shtetërore 410 “Di Naro” u mbyll përkohësisht në të dyja drejtimet pas aksidentit, ndërsa autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për shkaqet e përplasjes.
